Raportohet se janë liruar dy gazetarët shtetas amerikanë, Salah al-Haider dhe Bader al-Ibrahim, të cilët u arrestuan në Arabinë Saudite në prill të vitit 2019.

Në një postim në twitter llogaria “Të arrestuarit e mendimit”, të cilën aktivistët sauditë e përdorin si platformë lidhur me situatën e të arrestuarve në vend, thuhet se Haider dhe Ibrahim kanë qëndruar të arrestuar në mënyrë “arbitrare” për rreth dy vite.

Në postim njoftohet se Haider është djali i aktivistes saudite Aziza al-Yousef dhe theksohet se dy të rinjtë gazetarë që janë liruar përkohësisht janë njëkohësisht shtetas amerikanë.

Më tej, thuhet se Haider dhe Ibrahim do të dalin sërish para gjykatës më 8 mars, si dhe apelohet për lirimin e të gjithë atyre që janë arrestuar në mënyrë arbitrare në vitin 2019 në Arabinë Saudite.

Autoritetet e Arabisë Saudite akoma nuk janë prononcuar lidhur me çështjen.

Sipas raporteve mbi të drejtat e njeriut, autoritetet e Arabisë Saudite në prill të vitit 2019 arrestuan mbi 60 persona, shumica shtetas palestinezë, me arsyetimin se kanë kryer aktivitete në mbështetje të kauzës palestineze.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb