TIRANE – Pas një viti larg ekranit, moderatorja e njohur Arbana Osmani do të rikthehet me një format krejt të ri që do të nisë transmetimin në fund të muajit tetor. Titullohet “I can do that”, dhe do të ketë si protagonistë 8 personazhe pjesëmarrëse, që garojnë vetëm për një kauzë bamirësie, pra çmimi i madh do të shkojë për persona në nevojë. Emrat e personazheve ende nuk janë vendosur nga produksioni, por deri tani dihet që do të jenë figura me vlerë, dhe jo aspirantë për famë apo të tjerë me karriera të perënduara.

E pyetur për më shumë detaje rreth këtij formati, Arbana tha për gazetën “Panorama” se: “Spektakli zgjat 12 javë, dhe numrat që do të ekzekutohen nga pjesëmarrësit janë spektakolare, të specifikave të ndryshme, e që kërkojnë aftësi fizike superiore. Deri tani janë vetofruar shumë artistë për të marrë pjesë në këtë show, por kasti nuk është vendosur ende”, tha ajo.

E pyetur se si ndihet para moderimit të këtij formati të ri, Arbana shprehet: “Mua më pëlqen shumë formati, dhe po ashtu më pëlqen që do të punoj me Rezart Agën, me të cilin kam punuar shumë vite në “Big Brother”, dhe e vlerësoj si profesionist. Formatin e kemi zgjedhur bashkë me drejtuesit shumë kohë më parë, dhe shpresoj ta prezantoj sa më mirë”. Megjithatë, kohën më të madhe vazhdon ma merr Joni, e besoj kështu do të jetë për shumë kohë”, tha ajo. Arbana rikthehet si nënë me një format krejt ndryshe, pas një eksperience 7¬ vjeçare si prezantuese e “Big Brother” e disa programeve të tjera paralelisht.

SAKRIFICAT E VIP-AVE NË KËTË SFIDË TELEVIZIVE
Kësaj here janë VIP-at ata që e rikthejnë Arbanën në ekran me një format që pritet të jetë shumë interesant. “I can do that” është një “realitycomedy” nga kompania izraelite “Armoza Formats”. Në formulën e saj përfshihen tetë personazhe të famshme që vendosen kundër njëri-tjetrit me një numër artistik, që nuk i përket fushës së tyre, por që secili e merr përsipër duke deklaruar “Unë mund ta bëj!”.

Konkurrentët do të mund të zgjedhin numrin e tyre që do të performojnë nëpërmjet garës së shpejtësisë në ngjitjen e vështirë të shkallëve në studio. Për ta realizuar numrin në fjalë, atyre do t’u vihet në dispozicion një javë kohë për t’u përgatitur deri në ditën e spektaklit, ku dhe do të vihen në provë pasi do të interpretojnë “live” numrin artistik të zgjedhur.

Po si do të bëhet gjykimi i tyre? Sipas formulës së këtij show televiziv, fituesi do të jetë në dorën e publikut, që do të vendosë nëpërmjet votimit, se cili do të jetë triumfatori. Ajo që dihet deri tani është se kriter bazë për përzgjedhjen e VIP-ave është jo vetëm karriera e tyre, si personazhe të njohura të televizionit dhe skenës, por aftësia për të përballuar perfomanca të nivelit ekspresiv, ashtu siç e kërkon kjo garë. Deri tani ky format është blerë nga 20 televizione të rëndësishme në botë, ndaj të shohim sa impakt do të ketë edhe në Shqipëri.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: