Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi e ftuar në emisionin” Real Story” në “News 24” tha se personat që vodhën votat në Dibër nuk janë arrestuar, kurse Rama po arreston protestuesit te Unaza e Re.

Kryemadhi theksoi se parlamenti sot është ilegjitim, pasi ka vetëm 122 deputetë, kurse u shpreh se Edi Rama ka kapur drejtësinë.

Ndërsa, analisti Fatos Lubonja deklaroi se në Shqipëri ekonomia që është ngritur është kriminale, ndërsa vlerësoi se edhe deputetët janë “pjellë” e këtij sistemi.

Monika Kryemadhi: Kuvendi është ilegjitim. Ka vetëm 122 deputetë, ndërsa duhej të kishte 140 deputetë. Janë të paligjshëm ata që kanë hyrë aty. Kushtetuta e ka përcaktuar saktë.

Arjan Vasjari: Ju kontestoni deputetët e rinj. Nëse do ishin 140 deputetë, do thoshit se Kuvendi është legjitim?

Monika Kryemadhi: Është ilegjitim. Ka 122 deputetë, duhet të kishte 140 deputetë.  Edhe Dibra ishte skandal. Arben Keshin ta arrestoj unë? Pse Rama arreston banorët te Unaza por jo Keshin? Për të larguar vëmendjen shkon dhe arreston njerëzit atje te Unaza e Re.

Lubonja: Ka 30 vjet që mungon vullneti i mirë politik. Këta kanë vullnet, por kanë vullnet për të shkatërruar kundërshtarin, për të pasur sa më shumë pushtet, për të vjedhur shqiptarët dhe votën. Nga ana morale këta janë ilegjitim. Edhe Hitleri me vota ka ardhur, por nuk dilte më nga pushteti se i mori të gjitha. Këtu drejtësia mungon.

Rama thotë pse t’i fus në burg, drejtësia i fut, drejtësia është e pavarur. Zgjidhja është protesta popullore paqësore të forta të vazhdueshme. Që të kesh protesta të vazhdueshme, duhet të kesh kredo politike. Këtu kemi ekonomi kriminale. Rama është shërbëtor i deputetëve që dyshohet të jenë përfshirë në para të pistë. Politika është shprehje e ekonomisë.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb