Nga: FATMIRA NIKOLLI*

TIRANE – Teatri mbahet në një spital psikiatrik, ndërsa 26 pacientët e tij bëhen të gjithë aktorë. “Vrasja e Maratit”, ndërthur dramën, tragjedinë, psikologjinë, muzikën, krimin dhe politikën në një sallë që pritet të ngërthejë pas skenës publikun për rreth një orë e gjysmë. Pyetja që ajo shtron është mjaft aktuale: A është radikalizmi ekstrem ose fondamentalizmi sot zgjidhja për të ndryshuar botën?
Pjesa vihet për herë të parë në Shqipëri, në datat 14 dhe 15 Mars vetëm në Teatrin Kombëtar, dhe ka qenë një projekt shumë i vjetër i Arben Kumbaros, që e ruan në sirtar prej 10-15 vjetësh. “Me shumë dëshirë edhe pasion kam gjetur tekstin, edhe jam takuar me Ardian Klosin, i cili e ka përkthyer këtë vepër në vitin 2010. Ky është aprovuar edhe më parë, por më në fund po e shikon dritën e skenës. Është një angazhim mbi të gjitha standardet që ka tradita e teatrit shqiptar, sepse ka këngëtarë, ka aktorë, orkestër edhe muzikë live në skenë”, tha ai.
Regjisori Arben Kumbaro së bashku me pjesën më të madhe të 26 anëtarëve të trupës që do sjellin premierën e dramës “Përndjekja dhe vrasja e Zhan Pol Maratit” të Peter Weiss ishin dje në skenën e mbushur të Teatrit Kombëtar. Të gjithë qenë përgatitur për të dalë para mediave (figurativisht) për të folur për shfaqjen më të re dhe më të përfolur të institucionit. Media, prej muajsh është marrë me këtë shfaqje, ca prej faktit që regjisori ka qëlluar të jetë vëllai i ministres së Kulturës, ca prej akuzave se ka kushtuar një djall e gjysmë, akuza që u hodhën poshtë nga drejtoria e së fundmi për shkak të audicioneve. Edhe për këto, TK, e ka një shpjegim, por shpjegimet nuk janë të vështira për t’u gjetur.
I pyetur mbi debatet për audicionet e bëra për të zgjedhur aktorët e pjesës, Arben Kumbaro u shpreh se si regjisor, ai ka të drejtën e tij, të zgjedhë aktorët, pasi është emri i tij që ‘vihet në lojë’, dhe deri këtu, ka të drejtë. Sekush zgjedh aktorët, që për të e bëjnë më mirë rolin. “Janë thënë shumë të pavërteta, por nuk kam dashur të hyj në debat. Është e drejta ime të vendos kë të marr. Është krejt absurde”, – tha ai, duke lënë të kuptohet se regjisori, si krijues, ka të drejtë të vendosë pikat mbi i, sa i takon krijimtarisë së tij. Por qetësinë me të cilën ai e dha këtë shpjegim, nuk e reflektoi, një prej aktorëve të shfaqjes së tij, Hervin Çuli, një sqarim për fjalën e të cilit, do e japim më poshtë.
Në rolet kryesore interpretojnë aktorët: Viktor Zhusti, Hervin Çuli, Luli Bitri, Helidon Fino, Indrit Çobani, Gladiola Harizaj, Arben Derhemi dhe Sokol Angjeli, ndërsa si pjesë e produksionit janë edhe: Aktorët këngëtarë: Erand Sojli, Egzona Ademi, Mateus Frroku, Flaura Kureta; pacientët Mehdi Malkaj, Lulzim Zeqja, Niada Saliasi, Gert Ferra, Genti Deçka, Flor Veizi, Florind Belliu, Dasara Xhangolli, Orsi Vangjeli, Deljana Topulli dhe ‘infermierët’ Andon Koço, Andi Voci, Julinda Emiri dhe Ledion Bitri.
Kumbaro vuri në dukje se “Përndjekja dhe vrasja e Zhan Pol Maratit” është një nga veprat më të spikatura në shekullin XX.
Me regji të Peter Brook në vitin 1965, ajo u vu në skenë nga “Royal Shakespeare Company” dhe ia doli të mbushë sallat e teatrove për 145 net, duke marrë disa çmime “Tony Award” .
“Ka një estetikë të veçantë nga të gjitha traditat teatrale. Ka një bashkësi estetikash mund të them”.
Ndërkaq, Viktor Zhusti u shpreh shumë i përfshirë në shfaqje kur tha se ka jetuar përreth dy muaj në një lloj ankthi krijues.
Mbi raportet teatër-gazetarë
Së fundmi, raportet e gazetarëve me Teatrin Kombëtar, nuk kanë qenë gjithaq të pëlqyeshme. Mbase duke ndjekur shembullin e kryeministrit të vendit (i cili kërkon t’u mësojë gazetarëve si të bëjnë pyetje apo i këshillon të mësojnë anglisht), edhe drejtori i Teatrit Kombëtar, ka vendosur t’iu mësojë gazetarëve si të pyesin në institucionin që ai drejton dhe çfarë pyetjesh duhen bërë aty. Veçse, konferencat për shtyp, nuk janë me pyetje sipas dëshirës së panelistëve, në të kundërt ato do ishin skena të xhirimit të videove promocionale. Duke i lënë mënjanë raportet që secili gazetar mund të ketë me drejtorin Hervin Çuli, qofshin këto pozitive apo negative, gjuha e përdorur prej tij dje në konferencën për mediat, ishte më shumë se fyese. Për etikë, nuk po i zbardhim deklaratat e tij. Nëse gjuha që ai përdor para mediave, me kamera ndezur, është kjo, atëherë, ç’mund të themi për akuzat që Sesilia Plasari, apo të tjerë bashkëpunëtorë të Çulit, i kanë bërë atij për skena ku kamerat ishin “off”? Termat “rrugaç”, “e bardhë, e kuqe” nuk i shkojnë për shtat as një teatri rruge, e duket po aq pa vend janë edhe në sallën e një Teatri Kombëtar. Liria e medias, apo parullat “Je suis Charlie” (që e përqafuan gjithë pushtetmbajtësit tanë) nuk i shkojnë për shtat askujt që rreket ti diktojë medias, si të pyesë, e rrjedhimisht çfarë të thotë. “Gazetari është të shkruash atë çfarë dikush nuk do ta shohë të shkruar, çdo gjë tjetër është marrëdhënie me publikun (e thënë ndryshe për realitetin tonë, qokë ose reklamë)”, thoshte George Orwell. Ka ardhur koha që drejtuesit e institucioneve ta lexojnë këtë e të kuptojnë, ç’është gazetaria e ç’është zyra e shtypit apo departamenti i marketingut, e duke parë ndryshimet, të mësojnë t’iu drejtohen atyre që kanë përballë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: