Profesor Arben Malaj ishte i pranishëm në panairin e librit me dy tituj, njëri tërësisht personal që shpërfaq udhëtimin e tij në politikë e tjetri një kontribut për ekonominë.

Arben Malaj tha për News24 se “Janë dy kontribute që i ndjej detyrim ndaj vendit tim. Libri i parë është shkruar kur sapo lashë politikën në vitin 2013. Është një model mirë që kushdo që është shpërblyer për të pasur mandate publike, të lërë diçka të shkruar. Fillon me familjen time e mësuesit e mi në Llakatund. Kam një thirrje që të rinjtë ta shohin politikën si kontribut për vendin”.

Libri tjetër është i autorit amerikan Xhon Galbraith që shërben si edukim për financat për të shmangur marrëzitë kolektive që kërkojnë pasurim brenda natës. Në këtë lami, ai sheh edhe kriptomonedhat së fundmi.

“Libri i dytë është një kontribut për të rinjtë shqiptarë tani në kushtet e marketimit dixhital mund të bien viktima të financave euforike, dhe është botim i një profesori të Harvardit. Një pjesë e mirë e investimeve në kriptomonedha ka risk të madh që janë për pastrim parash dhe ka risk të jenë financa euforike dhe shumë individë po humbasin paratë e tyre dhe kursimet e tyre. Sigurisht ka edhe fitues por deri tani ata janë teorikë”.

Malaj ka qenë ministër financash dhe deputet. Aktualisht punon si konsulent dhe pedagog.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb