NGA PROF. ARBEN PUTO*

Vetëvrasja e Nakos. Viti 1947 po mbyllej i mbrapshtë. Me njëfarë vonese na mbërriti edhe neve në Moskë lajmi se Nako Spiru kishte vrarë veten. Nuk ishte çështje personale. Në një distancë disamujore, në shkurt-mars 1948, u mbajt një plenum i KQ. Aty, Nakoja u akuzua si sabotator i miqësisë me Jugosllavinë.

Neve në Moskë, një herë për një herë nuk na u tha që vetëvrasja e Nakos u cilësua thjesht si një akt i ulët. Ata që kishin të bënin me të (midis tyre edhe unë), e ndjemë si humbje të madhe vdekjen e Nakos. Por askush nuk guxonte të dinte më shumë. Edhe ne po e ndjenim se kishte një prapaskenë. Më në fund, pas disa muajsh, në pranverë 1948, u bë mbledhja e përgjithshme e studentëve në sallën e madhe të Universitetit. Aty na u shtjellua versioni zyrtar i ngjarjeve.

Na u tha se Nakoja, si ministër i Ekonomisë, pengonte zhvillimin normal të marrëdhënieve me Jugosllavinë, duke dëmtuar raportin e ngushtë të krijuar gjatë luftës midis dy lëvizjeve nacionalçlirimtare dhe dy partive. Jugosllavët ishin të pakënaqur dhe Koçi Xoxe u bë zëdhënës i akuzave jugosllave në KQ. Është thënë se edhe Enveri nuk guxoi të merrte anë. Nakoja kërkoi takim edhe me ambasadorin sovjetik Çuvahinin, por ky nuk e priti.

Nakoja e pa gjendjen e pashpresë dhe i dha fund jetës. U krijua një atmosferë e rëndë në Parti dhe në vend. Kjo atmosferë mbërriti deri te ne. Në mbledhje, sipas zakonit, dilnin parimorët, njëri pas tjetrit, ngrinin zërin kundër Nakos, ngrinin lart qëndrimin intrasingjent të KQ. U dëgjuan edhe zëra që ia atribuonin shpëtimin e situatës ‘proletarit’ Koçi Xoxe. Befas, në mbledhje, u shtrua edhe çështja e situatës në radhët e studentëve. U hodh fjala se në këtë çështje mund të ishin të implikuar edhe disa studentë, psh. miqtë e ngushtë të Nakos.

Unë dhe Stefanaqi ishim bashkë dhe e ndjemë rrezikun. Për këtë e mori fjalën një nga studentët më të mirë; ai po mbaronte Mjekësinë dhe pas kthimit do të merrte postin e ministrit të Shëndetësisë. Ai tha se gjendja duhej vëzhguar në çdo qelizë. Ja edhe këtu një problem. Stefanaq Pollo dhe Arben Puto kanë qenë në rrethin e ngushtë të Nako Spirus. Ata nuk e kanë ndihmuar Partinë që të zbulojë fytyrën e tij të vërtetë. Pra, duheshim vënë përpara përgjegjësisë: kërkoi që Stefanaqit dhe Arbenit t’u ndërpritet bursa, të hiqen nga Radio Komiteti dhe të kthehen në atdhe.

Bashkëpunëtorë në komplotin e Nako Spirus!? Nuk u shqetësuam. Ishte tepër absurde. Asnjeri tjetër nuk e mori fjalën për të na përkrahur, as për të na akuzuar. Mbledhja u mbyll në heshtje. Çështja mbeti pezull, mos kishte rrezik të rikthehej? Asnjeri nuk na trazoi. Ne vazhduam punën në fakultet dhe në Radio Komitet. Historia e marrëdhënieve me Jugosllavinë është më e gjatë. Prapa kësaj fshihej ambicia e Titos për ta bërë Shqipërinë republikë të shtatë. Kishte filluar ftohja në marrëdhëniet midis Moskës dhe Beogradit. Plenumi i KQ e rehabilitoi Nako Spirun. Akuzat kundër nesh u harruan. Akuzuesi na kërkoi ndjesë.

Qazua (babai) në burg
Ndenja gati dy muaj në Tiranë. I kishin nxjerrë nga shtëpia pranë Shkollës së Kuqe. U hodhi dorën kunati i Anesë, Zija Hasho, burri i motrës, Hamos, që u lëshoi një dhomë. I gjeta aty, të strukur në një dhomë përdhese. Pashë Qazon në ankth, por gjatë qëndrimit tim nuk ndodhi gjë. Pushteti i ri, menjëherë pas çlirimit, krahas masave të tjera kundër klasave të pasura, mori edhe vendimin për tatimin e jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës. Nisej nga të dhëna se tregtarët e mëdhenj kishin realizuar fitime të mëdha duke spekuluar me çmimet gjatë viteve të luftës.

U ngritën komisione të posaçme që vepruan në të gjithë vendin. Tregtarët dhe pronarët detyroheshin të paguanin tatimin e jashtëzakonshëm me mallra, shuma të mëdha në franga ari, flori. Siç pritej, i erdhi radha edhe Qazos. Tani ai nuk kishte më pasuri. Ai kullandrisej me ato që kishte marrë me vete kur u nda nga vëllezërit më 1943. Në Tiranë nuk hapi asnjë aktivitet, madje tani nuk kishte as fuqinë, as aftësinë. I caktuan shumën marramendëse prej më se 800 mijë franga ari, e quajtën jo vetëm tregtar, por edhe drejtues dhe pjesëtar të shoqërive aksionare si: fabrika e miellit Myzeqeja e Fierit, SASTEB e drithërave, SITA e elektrikut, STAMLES e duhanit.

Komisionit hetimor ai i paraqiti si argument se në këto aktivitete ai nuk kishte qenë i vetmi: Së pari, ishte bashkë me vëllezërit; së dyti, kishte një rreth të gjerë aksionarësh. Ai vetë ishte nga të fundit. Duket se Qazua as që e priste se do të ngarkohej me një shumë kaq të lartë… Nga sa më sipër, futja e Qazos në burg e tejkalonte çdo masë. Familjarët bënë përpjekje për ta nxjerrë, aq më tepër që nuk kishte moshën për të përballuar kushtet e burgut. E para, Aneja, mblodhi një qese të vogël florinjsh dhe gjithë stolitë e nusërisë (me përjashtim të unazës) dhe i dorëzoi. I hoqi vëthët edhe Ados. Por nuk mjaftonte. Aneja i shkonte përditë në burg për t’i çuar ushqimin. E gjente duke punuar si murator në sheshin “Avni Rustemi” pranë shtëpisë. Qazon e nxori nga burgu Nefua. Ajo shkoi tek Abdyl Këllezi, atëherë ministër i Financave dhe i shpjegoi gjendjen. Qazua nuk ishte as pronar i vetëm, as aksionar i vetëm. Abdyli ishte njeri i moderuar. Dha urdhër dhe Qazua u kthye në familje, pas tetë muajsh burg.

Hapat e para (në karrierë)
Pyetja e madhe ishte: Ku do të më caktojnë? Nuk vonoi dhe, duke marrë parasysh specialitetin tim, më emëruan në Ministrinë e Jashtme. Ministër në atë kohë ishte Behar Shtylla, që kishte mbaruar Liceun e Korçës. Më priti mirë, por ndodhi një incident. Nuk kisha ende ndonjë detyrë konkrete. Fillova të kërkoj në arkiv, më shumë për kureshtje. Gjeta nja dy dokumente të kohës së Zogut. Tek po kthehesha në shtëpi, më ranë nga çanta në rrugë. Ministri më dënoi rreptë, më pushoi nga puna. Ishte hera e parë dhe e fundit për mua në Ministrinë e Jashtme.

Por, përveç specialitetit, unë kisha edhe rusishten. Pranë Komitetit Qendror u krijua një komision i posaçëm për botimin në shqip të veprave të Sta1iiit. Në krye u vu vetë Mehmet Shehu, sigurisht për sytë e publikut, por edhe në drejtim të Moskës se çështja kishte një rëndësi të dorës së parë për Partinë shqiptare. Mua më caktuan nënkryetar të komisionit. Ishte përgjegjësi e madhe, por edhe vlerësim për punën time. Do të punoja me Mehmet Shehun për të sjellë në shqip mendimin e Stalinit të Madh.
Filluam nga puna menjëherë. Na dhanë dy dhoma në godinën e “Zërit të Popullit”. Puna do të ndiqte këtë procedurë: përkthimi, redaktimi, rishikimi dhe botimi. Përkthimi iu besua Sami Lekës, një njohës i mirë i gjuhë ruse, por edhe një penë e shkëlqyer e shqipes. Puna kryesore bëhej prej Samiut. Pas një shikimi paraprak nga ana ime, i vinte radha Mehmet Shehut. Unë i shkoja në shtëpi, ia lexoja të gjithë vëllimin, e shumta në dy seanca. Por Mehmeti nuk e njihte aq mirë sa kujtonte gjuhën ruse.

Më binte mua ta kaloja vëllimin nga e para pas seancës me të. E quajta të domosdoshme, aq më tepër që redaktimi i vërtetë nuk mund të bëhej me një lexim. Në fakt, më priste një punë jo e vogël për përgatitjen e botimit të vëllimit. Kishin dalë tanimë disa vëllime. Unë kujtoja se bëja atë që më kërkohej. Por nuk ishte dakord Mehmeti. Unë nuk e kisha fshehur asnjeri punën që bëja pas leximit me të. Qëlloi që gjatë një takimi i fola për punën time si përgjegjës i redaktimit përfundimtar. U befasua, u indinjua dhe më pyeti: Pse ti guxon të vesh dorë pas punës këtu me mua?. Ngrita supet. Shpërtheu: Trockist! Por Mehmeti nuk e mbante inatin. Vazhduam punën rregullisht, pa ndërprerje.
*Pjesë nga libri “Jetë me kujtime”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb