I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Arben Shkodra nga Bashkimi i Prodhuesve të Shqipërisë ka folur për ndikimin e pandemisë në rritjen e çmimeve, mungesën e kontrollit për produktet ilegale që vijnë në vendin tonë dhe nevoja për pezullimin e taksave kombëtare për të mos krijuar situatë tek shporta.

“Asnjëherë nuk është bërë një diskutim i detajuar se çfarë ndodh me shportën. Familjet tona gatuajnë me vaj, kultura jonë mesdhetare vajin e ka pjesë shumë të rëndësishme. Nëse me vajin e ullirit lëndën e parë e kemi këtu, për vajin e lulediellit jemi të varur nga tregu i jashtëm. Vitin e kaluar, tregtia ndërkombëtare pësoi traumë të madhe pasi marrëveshjet e tregtisë ranë për një periudhë kohore të caktuar.

Nuk e kishin më atë lloj aksesi në tregje për lëndën e parë, qoftë edhe për eksportin më pas. Është e lidhur me një fenomen natyror, por edhe pandemia ka patur ndikimin e vet. Gjatë pandemisë transporti ndërkombëtar u çorientua, përpunimi i produkteve, shpërndarja e tyre u çorientua dhe kjo sjell një situatë të caktuar në treg, rritje çmimesh, abuzime. Prodhuesi duhet të jetë i drejtë me konsumatorin, me ambalazhimin, çmimet. Nga ana tjetër kemi problem me produkte që vijnë në mënyrë ilegale sepse autoritetet shtetërore i lejojnë.

Nuk mund të besoj se pas 31 vitesh të mos kemi një autoritet doganor jo vetëm të përgjegjshëm dhe korrekt, por të na garantojë sigurinë e konkurrencës në treg. Duhet të funksionojnë mirë mekanizmat e mbrojtjes së konsumatorit. Shteti duhet të jetë matës, të mbikëqyr tregun dhe të kemi organizata që mbrojnë konsumatorin dhe e vendosin në një pozicion më të informuar, duhet të jenë më aktivë. Konsumatori duhet edhe të ndërgjegjësohet, duhet ta mbështesim fort një përpunues të një produkti vendor krahasimisht me një importues, jo për të krijuar armiqësi me importuesin. Por tendenca post covid është të shohim çfarë ka oborri jonë. Vendet jashtë mbyllen eksportet për të furnizuar popullatën e tyre.

Covidi tregoi se duhet të kthehemi te produktet vendase. Konsumatori duhet të shohë etiketën, përbërjen, skadencën. Kemi marrë pafund ankesa, që në nëntor pati një rritje të frikshme të çmimeve, qoftë te transporti, të lëndëve të para dhe produkteve që vijnë nga jashtë. Do na shoqërojnë gjithë vitin, derisa bursa të stabilizohet. Nuk jam për ulje TVSH është një markë, ka elementë të tjerë që iu vijnë në ndihmë përpunuesve po aq sa TVSH. Duhet të kemi pezullim të taksave kombëtare për shkak të këtij fenomeni për të mos krijuar situatë tek shporta. Kemi bërë kërkesë qeverisë, stop fenomenit të pagesës së TVSH në dogana. Unë TVSH e paguaj kur shes produktin”-deklaroi Arben Shkodra.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: