Arbër Hoxha, talenti kuqezi, sfidon sot në mbrëmje gjigandët gjerman, Bayern Munich, një ndeshje që në letër duket një mision i pamundur pasi një sukses i mundshëm i ekipit të Kompany vlerësohet me koeficientin 1,13. Pavarësisht këtij fakti, trajneri i Bayern shpreh vlerësim maksimal për rivalin e tyre:

“Nuk duhet të ketë asnjë diferencim. Për mua nuk ka asnjë ndryshim nëse përballë kemi Dinamo Zagreb apo Barcelonën. Ne jemi të përqendruar vetëm te objektivi ynë, të marrim sa më shumë pikë. I njoh pikat e forta dhe të dobëta të rivalit tonë. Ata janë një skuadër e mbushur me talente, teknikisht të zotë. Janë një skuadër që mbrohet mirë, të lënë pak hapësira, por ne do të përpiqemi të imponojmë lojën tonë. Shpresoj që kjo strategji të na dërgojë te suksesi. Ndeshja e parë si trajner në Champions League? Nuk e prisja këtë pyetje, as që e kam menduar këtë. Unë e përgatis ndeshjen si një sfidë të radhës, është thjesht futboll”, u shpreh Kompany në konferencë për shtyp.

I qartë në atë çfarë kërkon nga ky edicion është Manuel Neuer, me kapitenin që nuk përdori lojërave fjalësh: “Ky edicion është një risi për të gjithë. E vetmja gjë që ka rëndësi është fakti që finalja do të luhet në Mynih, ne dëshirojmë të jemi aty”, u shpreh kapiteni i Bayern Munich në konferencë për shtyp.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb