Biznesmeni Italian Francesco Becchetti fillon mbledhjen e parave që i detyrohet Shqipëria pas fitimit të gjyqit në arbitrazh. Pas marrjes së dritës jeshile nga një gjykatë në Belgjikë, në bazë të një kërkese të njëanshme, mori të drejtën nga gjyqtari i shkallës së parë për të kryer konfiskimet nga ‘Eurocontrol’. Becchetti ka bllokuar 170 mijë euro në llogarinë e vetme që shteti shqiptar ka jashtë Shqipërisë, para këto që ishin të depozituara si pagesa nga ‘Eurocontrol’ për kompaninë shqiptare ‘Albcontrol’ nga kompanitë ajrore që përdoren hapesirën shqiptare për fluturim.

Mediat ndërkombëtare bëjnë me dije se bllokimi i parave është një masë paraprake e cila mund të mbetet në fuqi edhe gjatë vitit 2021 edhe pse Shqipëria e ka kundërshtuar këtë veprim duke argumentuar se honoraret e kompanive të fluturimit për Albcontrol duhet të mos preken.

Francesco Becchetti pas anulimit të dy koncesioneve nga qeveria Rama, iu drejtua Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve, e cila vendosi në favor të tij më 24 prill 2019, duke i dhënë një kompensim 107 milion euro.

Që në fillim, Republika e Shqipërisë ka kontestuar vendimin e arbitrazhit dhe ka refuzuar të paguajë atë që i detyrohet biznesmenit. Ceshtja Becchetti vijon të procedohet në gjyktatat ndërkombëtare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb