Drejtori i Policisë së Shtetit Ardii Veliu ka uruar të gjithë shqiptarët për Vitin e Ri 2020.

Veliu, në mesazhin e tij, shprehet se krimet gjatë 2020 njohën ulje, duke shtuar se gjatë 2021 policia do të punojë me përgjegjshmëri. Ai tha se qytetarët kanë shtuar besueshmërinë ndaj forcave të policisë.

Ardi Veliu në fund uron të gjithë shqiptarët, duke thënë se duhet festuar duke respektuar masat ndaj Covid-19.

Mesazhi i drejtorit të Policisë së Shtetit Ardi Veliu për Vitin e Ri 2021:

Mesazhi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ardi Veliu, në pragun e ndërrimit të viteve

Të nderuar punonjës të Policisë së Shtetit,

Një vit, çdo ditë përkushtim. Padyshim i vështirë, i pazakontë dhe i ngarkuar me shumë stres për të gjithë, për shkak të pandemisë.

Pavarësisht këtyre faktorëve, angazhimi dhe profesionalizmi i secilit prej jush bëri që gjatë vitit 2020 treguesit e sigurisë të shënojnë numrin më të ulët të vrasjeve, aksidenteve rrugore me pasojë humbjen e jetës, si dhe të ngjarjeje të tjera të rënda.

Rezultatet e luftës antikanabis, angazhimi maksimal i Policisë në vijën e parë të zjarrit për parandalimin e përhapjes së COVID-19, si dhe rritja e ndjeshme e parametrave të rendit dhe sigurisë dëshmojnë punën dhe sakrificën e çdo punonjësi, por edhe familjareve tuaj që ju mbështesin në çdo kohë edhe pse janë të privuar shpesh nga mungesa juaj për shkak të ngarkesës që keni në përmbushjen e detyrës. Operacioni Forca e Ligjit, lufta pa kompromis ndaj krimit të organizuar dhe qindra operacione ndërkombëtare me homologët rritën besueshmërinë te Policia e Shtetit.

Të nderuar qytetarë,

Ju faleminderit që besoni tek Policia e Shtetit dhe kontribuoni në rritjen e parametrave të sigurisë, si dhe në luftën kundër paligjshmërisë. Besimi dhe kontributi juaj janë dy shtylla të rëndësishme në përmbushjen e misionit tonë, pa të cilat nuk do mund të kishim këto rezultate që rendita shkurt. Ndihem i privilegjuar që drejtoj një prej organizatave më të besuara dhe të vlerësuara nga ju.

Sfida të tjera na presin në 2021. Angazhimi i Policisë së Shtetit për krijimin e një ambienti shoqëror sa më të sigurt vijon të mbetet prioriteti më madhor.

Humanizmi dhe solidariteti, këto dy virtyte mbi të cilat shoqëria ka mundur të krijojë marrëdhëniet ndërnjerëzore do të jenë pjesë e pandashme e marrëdhënies sonë të përditshme.

Festoni në familjet tuaja dhe respektoni masat kufizuese anticovid. Diku, pranë jush, janë mijëra punonjës Policie në shërbim e gatishmëri për të parandaluar çdo episod, sado të vogël, që mund të cenojë rendin dhe sigurinë.

Gëzuar Vitin e Ri 2021!

#MëshumëSiguri ??

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb