Presidenti i Policisë çeke, Gjeneral Major Jan Švejdar, i shoqëruar nga drejtues të tjerë të lartë të policisë çeke, ka zhvilluar një vizitë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku është pritur nga Drejtori i Përgjithshëm, Ardi Veliu, dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.

Gjatë vizitës, Presidenti i Policisë Çeke ishte i shoqëruar edhe nga ambasadori i Republikës së Çekisë në Shqipëri, Jaroslav Ludva, dhe Oficeri Ndërlidhës i Policisë Çeke, Adriatik Shino.

Veliu dhe Švejdar kanë vlerësuar maksimalisht bashkëpunimin mes policive të dy vendeve dhe janë shprehur optimistë që marrëveshja e bashkëpunimit për patrullimet e përbashkëta mes dy vendeve të vihet në zbatim sa më shpejt.

Veliu ka falënderuar ambasadorin dhe oficerin e kontaktit për kontributin në forcimin e bashkëpunimit mes dy policive.

“Bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacionit dhe eksperiencave është shtrirë në disa fusha, qoftë mes drejtorive kundër narkotikëve, në fushën e sigurisë rrugore dhe në drejtime të tjera, por pavarësisht këtij niveli bashkëpunimi duhet të punojmë që ta forcojmë më tej. Një rast shumë i mirë bashkëpunimi është dakordësia dhe gatishmëria për nënshkrimin e marrëveshjes për patrullimet e përbashkëta gjatë sezonit turistik që nisëm që vitin e kaluar, por për shkak të pandemisë u pengua implementimi i saj. Shpresojmë që me përmirësimin e situatës kjo marrëveshje të jetëzohet. Ky është një rast i mirë që kolegët e të dy vendeve të shkëmbejnë eksperiencat dhe të mësojnë nga njëri-tjetri”, tha Veliu.

Švejdar u shpreh se bashkëpunimi i deritanishëm mes policive të dy vendeve do të thellohet akoma më shumë në vijim. Ai nënvizoi se Policia çeke do vijojë t’i ofrojë Policisë shqiptare ndihmën dhe eksperiencën e tyre. Švejdar ka siguruar Drejtor Veliun se punonjësit e Policisë çeke që do vijnë të patrullojnë në Shqipëri, do të jenë të pajisur me pajisjet me të mira që disponon Policia çeke.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb