Kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka urdhëruar punonjësit e policisë të kontrollojnë në terren shtetasit e huaj me leje qëndrimi në vendin tonë dhe të saktësojnë vendbanimet apo vendin e punës së tyre. Procesi për verifikimin e shtetasve të huaj që jetojnë e punojnë në Shqipëri bazohet në urdhrin nr.353 të datës 10 qershor 2020.

Urdhri iu është bërë i njohur të gjitha drejtorive vendore dhe bashkangjitur tij, komisariateve iu janë dërguar CD me emrat e shtetasve të huaj rezidentë, sipas juridiksionit. Bazuar në të dhënat e vëna në dispiozicion nga Departamenti I Kufirit, specialistët e zonave, duhet të verifikojnë nga afër se ku banojnë shtetasit e huaj dhe të pasqyrojnë nëse ata kanë ndryshuar vendbanim apo vendin e punës. Referuar urdhrit, drejtoritë vendore kishin detyrim të dorëzonin të dhënat e përpunuara brenda datës 13 shtator, detyrim që duket se nuk është përmbushur.

Kjo, pasi përmes një emaili të dytë, Departamenti i Policisë Kufitare ka ngritur shqetësimin se asnjë drejtori vendore nuk ka përmbushur detyrimin në zbatim të urdhrit të Veliut. Në këto kushte, është kërkuar nga drejtuesit e lartë të policisë të merren masa që secili specialist të njihet me urdhrin dhe të marrë masa për zbatimin e detyrave të përcaktuara në të.

“Brenda dates 15.09.2020 t’iu kthehet pergjigje Drejtorive në lidhje me verifikimin nga policia të vendbanimit dhe vendit te punes per te gjithe shtetasit e huaj me leje qendrimi ne vendin tone, sipas listave te derguar nga seicila drejtori prane Jush”, thuhet në document.

Në vijim, ju tërhiqet vëmendje të gjithë drejtuesve që të përmbushin detyrimet.

“Në rast perseritje ndaj secilit personi pergjegjes sipas zinxhirit komandues do te filloje ecuria disiplinore per shkelje te rende”, thuhet në mesazh.

Burime nga Policia e Shtetit thanë se krahas këtij procesi është duke u punuar edhe për regjistrimin e të gjithë emigrantëve të paligjshëm në vendin tonë, kryesisht emigrant sirianë. Kur një shtetas i huaj pa leje qëndrimi në vendin tonë ndalohet nga policia, i merren gjeneralitetet, shenjat e gishtërinjve dhe pasqyrohet në të dhënat e Departamnentit të Kufirit. Ky proces është i vështirë, pasi emigrantët lëvizin nga njëri qytet në tjetrin , në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria në drejtim të vendeve të Bashkimit Europian.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: