Në programin “Dola te Ola”, këtë të diel ishte i ftuar aktori i mirënjohur Ardian Cerga, i cili ndër të tjera foli edhe për librin e tij “Kohë dashurish të harruara”.

Aktori tregoi se libri i tij është një roman i mirëfilltë me personazhe dhe ngjarje reale, ku personazhi kryesor është vetë ai. Ai zbuloi se të gjithë personazhet e gjinisë mashkullore (përfshi atë vetë), mbajnë emrat e tyre të vërtetë sikurse në jetën reale, ndërsa për gjininë femërore ka zgjedhur emra të tjerë.
Ardian Cerga në roman ka rrëfyer historinë e jetës së tij në Berat ku e dërguan për ta ndëshkuar, por sigurisht në libër nuk mungojnë ngjyrimet emocionale dhe artistike që karakterizojnë veprat artistike. Ai tha se nga një aktor në kulmin e karrierës dhe në qendër të vëmendjes që ishte, përfundoi papritmas në një “hiç” profesionalisht (pasi në Berat kishte vetëm një teatër amator).
Teksa u pyet se përse e larguan nga Tirana për një periudhë gati 10-vjeçare, ai tha se arsyeja e vetme e mundshme ishin rolet që luante në filma, pasi sipas Cergës personazhet e tij ishin paska rebelë, ndaj ai ishte i padëshiruar.
Ardiani tha se në momentin që e dërguan në Berat iu hoq e drejta e aktrimit, dhe vetëm 22 vjeç u përball me vështirësi të mëdha. Gjithsesi ai theksoi se libri nuk merret me vuajtjet dhe personazhet në të janë pothuajse njësoj pasi jetonin në të njëjtat kushte.
Aktori i njohur u shpreh se edhe pse pa dëshirën e tij, ai në Berat ka kaluar periudhën më të bukur të rinisë, me njerëzit që njohu aty, periudhë që padiskutim që ka lënë shumë gjurmë tek ai.
Pas këtij rrëfimi të sinqertë dhe emocionues, vëllezërit korçarë Endri dhe Stefi Prifti e përshëndetën aktorin më një këngë shumë të njohur beratase “Mora Mandolinën”, duke dhuruar momente shumë të bukura në studio.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: