Eksperti i ekonomisë, Adrian Civici, tha në emisionin “Real Story”, në News24, se në fazën e tretë të pandemisë së koronavirusit duhet bërë dhe një analizë strukturore e ekonomisë sonë.

Sipas ekspertit Civici, problemi kryesor tani është pikërisht fakti nëse do të investohet për ta rikthyer biznesin në gjendjen që ishte para pandemisë, apo nëse do të bëhet një start i ri me një ekonomi më produktive.

“Meqenëse biznesi u bllokua, u ndihmua të mos falimentonte, por të rrinte i ngrirë, që pas kalimit të situatës të rifillonte punë. Tani ka lindur një problem tjetër, nëse kjo fazë ku fillohet do jetë një fazë që do ta ndihmojë biznesin të mbijetojë, apo do të jetë një fazë që do ta ristrukturojë, të nxjerrë nga tregu ato biznese që ishin të organizuar keq edhe para pandemisë. Në vijim duhet të bëjmë një zgjedhje, të rivijmë aty ku ishim para pandemisë, apo të përfitojmë nga situata e pandemisë dhe të investojmë për të pasur nesër një start të ri me një ekonomi më produktive.

Edhe pse jemi një vend rural, edhe në bujqësi ushqimet kryesore i kemi ushqime importi. Kapacitetet e industrisë agropërpunuese shqiptare nuk e kalojnë 30% të prodhimit vendas. Pandemia, përveçse na dëmtoi shumë, na tregoi dhe shumë probleme strukturore që ka ekonomia jonë. Prandaj, paketa e tretë duhet përcaktuar qartë, për ta rikthyer biznesin aty ku ishte, apo është momenti për të bërë një start të ri përzgjedhjeje”, u shpreh Civici.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb