Ardian Dvorani kërkon të rikthehet në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.  Dvorani i ka dërguar një letër pasueses së tij në drejtimin e këtij institucioni, Vitore Tushës ku kërkon që mandatin ta ushtrojë deri në fund të vitit.

Në letër ai kërkon që KED ta konsiderojë këtë çështje duke u shprehur se këto lëvizje mund të ndodhin, janë të ligjshme dhe nuk janë të ndaluara nga Kushtetuta.

LETRA E PLOTË
E nderuar znj.Vitore Tusha,
nëpërmjet një njoftimi paraprak me mesazh telefonik në datën 18.08.2020 dhe nëpërmjet një email-i të datës 19.08.2020 jam njoftuar nga ana Juaj në detaje për zhvillimin e mbledhjes së KED në datën 21.08.2020 ora 13.00, për rendin e ditës dhe materialet përkatëse bashkëlidhur njoftimit.
Sipas pikës 1 të nenit 229 të ligjit nr.115/2016 pjesëmarrja në mbledhjet e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi është e detyrueshme.

Në përbërjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që ushtron veprimtarinë për vitin kalendarik 2020, jam caktuar sipas procedurave përkatëse të shortit të organizuara nga Presidenti i Republikës në datën 05.12.2019, duke qenë në funksionin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, kjo në zbatim të pikës 3 të nenit 149/d të Kushtetutës, pikës 1 të nenit 220 dhe pikave 1, 2 dhe 7 të nenit 221 të ligjit nr.115/2016.
Ndërkohë, për shkak të zhvillimeve të ndodhura në muajt e fundit, pas një periudhe paqartësie dhe pasigurie mbi pozicionin dhe funksionin tim gjyqësor të krijuara nga nisma e Presidentit të Republikës dhe koha e gjatë e konsumuar nga KLGJ për të vendosur, tashmë nuk ushtroj më funksionin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, por funksionin e gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Apelit.

Kështu, në vijim të procedurave të nisura nga vetë KLGJ në fillim të muajit Prill 2020, në datën 01.07.2020 kam ardhur në dijeni, sipas rregullave të njoftimit të caktuara në ligj, mbi një lloj shkrese të emërtuar në lëndë si “njoftim”, i cili në të vërtetë ishte i arsyetuar si çdo vendim dhe akt tjetër administrativ, me anë të të cilit nga KLGJ jam “njoftuar” në lidhje me qëndrimin dhe arsyetimet e këtij Këshilli në mbledhjen e datës 11.06.2020 për “përfundimin e detyrimit për qëndrimin në detyrë në Gjykatën e Lartë”, njëkohësisht duke më ftuar të shpreh qëndrimin tim në lidhje me ushtrimin ose jo të së drejtës për tu caktuar gjyqtar në nivel apeli.

Në datën 06.07.2020, brenda afatit të treguar nga KLGJ, kam njoftuar vullnetin tim për të ushtruar të drejtën ligjore për caktimin gjyqtar në nivel apeli në pritje të dërgimit sipas ligjit të listës zyrtare të pozicioneve të publikuara të lira në gjykatat e apelit.

Në datën 24.07.2020 më është njoftuar vendimi nr.260 datë 23.07.2020 i KLGJ “Për publikimin e pozicioneve të lira në nivel apeli, për gjyqtarin Ardian Dvorani, që ka të drejtën e caktimit në një pozicion të tillë”.

Në datën 27.07.2020, brenda afatit të caktuar nga KLGJ, kam njoftuar vullnetin tim për të ushtruar të drejtën ligjore për caktimin gjyqtar në nivel apeli, duke treguar përzgjedhjen e pozicionit të gjyqtarit në Gjykatën Administrative të Apelit.

Në datën 30.07.2020 më është njoftuar vendimi nr. 266 datë 30.07.2020 “Për caktimin në pozicion në nivel apeli të gjyqtarit Ardian Dvorani”, me të cilin jam caktuar gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit. Sipas vendimit, efektet juridike të tij fillojnë ditën e njoftimit të këtij vendimi.

Në të tilla rrethana, është e nevojshme të vlerësohen dispozitat e Kushtetutës dhe të ligjit në lidhje me rregullshmërinë e qenies sime si anëtar në përbërje të KED të caktuar për të ushtruar veprimtarinë gjatë pjesës së mbetur të vitit kalendarik 2020.
Sipas pikës 3 të nenit 149/d të Kushtetutës:
“3. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përbëhet nga 9 anëtarë të përzgjedhur me short, nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilëve nuk është dhënë masë disiplinore. Ata ushtrojnë detyrën me mandat njëvjeçar, që fillon në datën një janar të çdo viti kalendarik. Presidenti i Republikës përzgjedh me short, midis datave 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik, dy gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë dhe dy prokurorë nga gjykatat e apelit, si dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative. ……”.
Ndërsa sipas pikës 5 të këtij neni:
“5.Kritere të tjera për shkallën e kualifikimit të kandidatëve që marrin pjesë në short parashikohen me ligj. Organizimi dhe funksionimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi rregullohet me ligj.”.

Pika 1 e nenit 149/d të Kushtetutës përcakton vetëm kushte mbi caktimin e përbërjes së KED nga Presidenti i Republikës në momentin e ushtrimit prej Tij të detyrimit të përzgjedhjes me short të përbërjes së KED. Edhe pika 5 e këtij neni përcakton rregulla dhe delegime për rregullim më të hollësishëm me ligj të caktimit të përbërjes së KED të lidhura vetëm me momentin kur kandidatët mund të lejohen të përfshihen në shortimin e caktimit të përbërjes së KED.

Kushtetuta nuk përmban ndonjë rregullim të posaçëm e të shprehur dhe as nuk delegon për rregullim më të hollësishëm me ligj, si mundësinë e zhvillimit të ndonjë procedure tjetër shorti përtej atyre datave të caktuara të muajit dhjetor të çdo viti kalendarik, as edhe ndonjë rregull tjetër në lidhje me rastet kur anëtarët dhe anëtarët zëvendësues të zgjedhur me short, për motive të ndryshme, ndryshojnë funksionin e tyre gjatë vitit kalendarik.

Edhe dispozitat e neneve 220, 221 dhe vijuese të ligjit nr.115/2016 nuk përmbajnë asnjë rregullim konkret dhe të shprehur, në lidhje me rastet kur anëtarë dhe anëtarë zëvendësues të KED, gjatë vitit kalendarik ndryshojnë funksionin të cilin kanë pasur në momentin e realizimit të shortit nga Presidenti i Republikës, duke u caktuar në funksione të tjera po në ato gjykata ose prokurori që përcaktohen në nenin 149/d të Kushtetutës apo në nenin 220 pika 1 të ligjit nr.115/2016.

Kushtetuta, në fjalinë e parë të pikës 1 të nenit 149/d, përmban vetëm një ndalim të shprehur për tu përfshirë në short dhe që është ai që ndaj kandidatit të mos jetë dhënë masë disiplinore. Ndërsa sipas pikës 5 të këtij neni “Kritere të tjera për shkallën e kualifikimit të kandidatëve që marrin pjesë në short parashikohen me ligj.
Sipas pikave 1, 2 dhe 7 të nenit 221 të ligjit nr.115/2016, të miratuara sipas urdhërimeve të pikës 5 të nenit 149/d të Kushtetutës:

“1. Mund të përfshihen në shortin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi vetëm ata magjistratë dhe gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, të cilët, në momentin e organizimit të shortit, plotësojnë kushtet e mëposhtme:
a) në kohën e hedhjes së shortit magjistrati që ushtron detyrën pranë gjykatave administrative, gjykatave të apelit, prokurorive pranë gjykatave të apelit dhe Prokurorisë së Përgjithshme ka ushtruar funksionin e magjistratit për të paktën 10 vjet;
b) nuk ka një masë disiplinore në fuqi;
c) nuk ka filluar një procedim disiplinor para kandidimit;
ç) shfuqizuar
d) shfuqizuar
dh) magjistrati është vlerësuar të paktën “shumë mirë” në 2 vlerësimet e fundit etike dhe profesionale, nëse janë të disponueshme;
e) magjistrati ose gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk është nën hetim ose nuk është dënuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
ë) magjistrati ose gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk është dënuar më parë me sanksion administrativ për shkelje të rregullave ligjore në lidhje me deklarimin e pasurisë dhe konfliktin e interesave.

2. Kandidatët që nuk plotësojnë një nga këto kushte përjashtohen nga shorti…….

7. Presidenti i Republikës, në prani të Avokatit të Popullit, përzgjedh anëtarët e Këshillit me short midis datës 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik. Përveç anëtarëve të parashikuar në pikën 1, të nenit 220, të këtij ligji, Presidenti i Republikës zgjedh edhe një anëtar zëvendësues nga secili institucion në të njëjtin short.

Pra edhe rregullimet që përmban neni 220 dhe neni 221 i ligjit nr.115/2016 rregullojnë çështje që kanë të bëjnë vetëm kushtet që duhet të plotësojnë kandidatët për të qenë të zgjedhshëm në përbërje të KED dhe për tu përfshirë në procedurën e shortit që realizohet për këtë qëllim, vetëm një herë, nga Presidenti i Republikës.

Nuk ka asnjë rregullim konkret dhe të shprehur edhe në këtë ligj, në lidhje me rastet kur anëtarë dhe anëtarë zëvendësues të KED, gjatë vitit kalendarik ndryshojnë funksionin të cilin kanë pasur në momentin e realizimit të shortit nga Presidenti i Republikës, duke u caktuar në funksione të tjera po në ato gjykata ose prokurori.
Gjithashtu vlerësoj të sjell në vëmendje se në Kushtetutë dhe në ligjet e nxjerra në pajtim me të nuk ka asnjë rregullim që të parashikojë ndalimin e lëvizjes së magjistratit të caktuar me short në përbërje të KED për motive të ndryshme (lëvizje paralele, ngritje në detyrë, caktim në nivel apeli etj.) nga pozicioni që mbante në momentin e shortimit. Për rrjedhojë, këto lëvizje mund të ndodhin, janë të ligjshme dhe në përmbushje të karrierës gjyqësore.

Nga ana tjetër, në kushtet kur lëvizje të tilla në funksion nuk janë të ndaluara nga Kushtetuta dhe ligji, është krejtësisht e logjikshme që ato lëvizje nuk mund të cenojnë dhe përfundojnë ushtrimin e detyrueshëm të detyrës së magjistratit në përbërje të KED (përbërje e cila zgjidhet vetëm një herë me short për të gjithë vitin kalendarik) dhe nuk mund të cenohet në funksionimin normal të tij nga lëvizjet e ligjshme në karrierë të magjistratëve. Nëse do të përbënte cenim të funksionalitetit të një institucioni kushtetues si KED, atëherë vetë kushtetutbërësi apo ligjvënësi do të kishin parashikuara shprehimisht dhe qartë “ngrirjen” dhe ndalimin e lëvizjes nga funksioni të magjistratit të caktuar në përbërje të KED për gjatë gjithë vitit kalendarik.

Natyrshëm që, nëse gjatë vitit kalendarik të ushtrimit të veprimtarisë së KED, ndodhin ngjarje dhe krijohen rrethana të cilat përfshihen në kushtet e zgjedhshmërisë në përbërje të KED sipas fjalisë së parë të nenit 149/d të Kushtetutës apo të pikës 1 të nenit 221 të ligjit nr.115.2016, atëherë anëtari i KED së paku nuk mund të marrë pjesë në mbledhjet e tij derisa të bjerë ky shkak pezullues/ndalues, edhe pse gjithsesi, mbeten jo pak pikëpyetje dhe ligji nuk përmban asnjë rregullim që të përcaktojë shprehimisht se çfarë ndodh në raste të tilla.

Nisur nga kuptimi dhe interpretimi i sipërtrajtuar të dispozitave kushtetuese dhe ligjore të zbatueshme, kam vlerësimin se rrethana e krijuar e mosushtrimit të mëtejshëm të funksionit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë dhe vijimi prej datës 30.07.2020 në funksionin e gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Apelit, nuk e ndërpret të drejtën dhe detyrimin tim kushtetues dhe ligjor për të qenë në përbërje të KED të caktuar për të ushtruar veprimtarinë gjatë vitit kalendarik 2020.
Nga ana tjetër, në lidhje me raste dhe situata të tilla, është evidente se jemi edhe përpara mungesës së plotë të rregullimeve konkrete dhe të shprehura në Kushtetutë dhe në ligj, për sa i përket çështjes se cilat duhet të jenë sjellja dhe veprimet që duhet të kryejë anëtari i KED, cilat duhet të jenë veprimet dhe kompetenca e mbledhjes së KED etj.

Ndërkohë që, nga njëra anë, pas lëvizjes në detyrë nga Gjykata e Lartë dhe caktimit si gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit, unë kam vlerësimin se është e rregullt vijimi i qenies në përbërje dhe pjesëmarrja ime si anëtar i Këshillit në mbledhjet dhe veprimtaritë e KED 2020, nga ana tjetër, për të njëjtat arësye që trajtoj më sipër, vlerësoj si të pashmangshme dhe të domosdoshme që në lidhje me këtë çështje të diskutojë dhe të vendosë edhe vetë Këshilli në mbledhjen e tij. Ndërmjet të tjera, kjo është e domosdoshme meqenëse KED është organ kolegjial dhe, si i i tillë, rregullshmëria e mbledhjeve dhe veprimtarive të tij përcaktohen edhe nga rregullshmëria e përbërjes së Këshillit.

Së fundi, kërkoj mirëkuptimin e anëtarëve të Këshillit për mospjesëmarrjen në mbledhjen e datës 21.08.2020.

Ndërsa po u përcjell me shkrim qëndrimin tim bazuar në kuptimin dhe interpretimin e Kushtetutës dhe të ligjit për rastin dhe rrethanat e krijuara, gjithashtu e konsideroj të papërshtatshme qenien të pranishëm në këtë mbledhje të Këshillit, deri në diskutimin dhe vendimmarrjen e domosdoshme të Këshillit për çështjen e vijueshmërisë ose jo të ushtrimit të detyrës sime si anëtar i KED në mbledhjet dhe veprimtaritë e ardhshme të tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb