I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Ared Sado Administrator i PDF ka folur për faktorët që ndikuan në rritjen e çmimit të vaji, humbjet që kanë pësuar kompanitë shqiptare dhe taksat e larta në vendin tonë krahasuar me ato të rajonit.

“Rritja e çmimit të vajit është më e hershme, që nga periudha shtator-tetor 2020. Në qershor të vitit të kaluar çmimi i blerjes në bursë, për ton grexho ka qenë 850 dollarë toni. Aktualisht çmimi në bursë është 1540 dollarë toni i vajit grexho, më pas vijnë procesi i rafinimit, paketimit dhe më pas vendoset vlera e TVSH mbi vlerë dhe del çmimi për ta nxjerrë produktin në treg. Piku ka filluar me daljen e prodhimit të ri. Prodhimi i ri, korrjet janë në gusht dhe shtator. Në gusht korrjet janë në zonat relativisht të ngrohta si në rajonit tonë e më pas është Ukraina dhe e fundit Rusia. Prodhuesit më të mëdhenj të farës së lulediellit dhe vajit grexho janë Ukraina dhe Rusia, në vendin e tretë është Argjentina. Vetëm Ukraina dhe Rusia ka mbi 50% të prodhimit botëror.

Gjatë kësaj periudhe, pritshmëritë e farës së lulediellit nuk janë të përcaktuara menjëherë. Një mot shumë i thatë ose shumë i lagësht krijon problematika, mungesa e farës në boçë, rrezja e vetë fares. Për vitin 2020 pati rënie të theksuar në mungesën e vetë farës, boçës të cilat kishin 30% mungesë të farës. Arsyeja ishte thatësira shumë e madhe sidomos pjesa e Rusisë, Ukrainës, pellgu i Detit të Zi. U kapën nga e njëjta klimë. Vetë rrezja e farës ishte 5% më e dobët. Pati mungesë 35% të lëndës së parë në treg. Në kulmin e pandemisë, çmimet ishin normale. Sot janë 11 operatorë vajrash në Shqipëri, pa përmendur të vegjlit. Duke patur këtë nivel konkurrence është e pamundur që të krijosh organizime për të vendosur një çmim të vajit. Në tetor çmimi i vajit erdhi në rritje pikërisht për shkak të kësaj mungese. Nuk u rrit menjëherë çmimi për shkak të kontratave të prodhuesve të farës dhe përpunuesve të farës së lulediellit, të cilat duhet të zbatonin çmimin e kontratës.

Rritja e çmimit erdhi shkallë pas shkalle. Pothuajse çdo muaj janë rritur nga 100-200 dollarë për ton dhe çmimi i vajit grexho për ton është 85% më i lartë se në qershorin e 2020. Të gjitha kompanitë që operojnë me vajin janë gjetur në një situatë të paqartë. Rritja e çmimit të lëndës së parë ishte në mënyrë galopante. Disa e blejnë vajin sot disa e blejnë pas një muaji. Kemi jo pak kompani që kanë humbur, fuqia blerëse sot ka rënë. Po e çon nga një produkt shporte, në një produkt luksi. Kemi deme, jemi i vetmi vend në rajon që kemi taksë unike, tatim mbi vlerë të shtuar, TVSH 20%. Kjo nuk ndodh me vendet e rajonit, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, Serbi, të cilat kanë taksë më të ulët për produktet e shportës ku përfshihet edhe vaji. Maqedonia e ka taksën 5%, Kosova 8%, Mal i Zi 7% dhe Serbia 10%. Serbia është vend prodhues edhe i farës së lulediellit, grurit, duke u nisur nga politikat që aplikon dhe subvencion mbi prodhimin. Për çdo eksport që realizohet nga Serbia e subvencion në 10% të çmimit të shitjes tek prodhuesi i saj”, -deklaroi Ared Sado.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb