“Arena Kombëtare” është shpallur fitues i Çmimit të Arkitekturës BIG SEE Awards për Evropën Juglindore.

Teksa ka përshëndetur këtë vlerësim, përmes një postimi në Instagram, kryebashkiaku Erion Veliaj siguron qytetarët se edhe godina e re e Teatrit Kombëtar do të jetë një sukses i vërtetë.

“Sa shumë e luftuan dhe e shanë. Por Stadiumi Kombëtar e mori kupën e parë, shpallet fitues i Çmimit të Arkitekturës BIG SEE Aëards për Evropën Juglindore! Do rikthehet loja sërish miq. Sa shumë e luftojnë Teatrin e ri. Por si Sheshi Skenderbej, Pazari i Ri dhe Stadumi, Teatri i ri do jetë një sukeses”, thekson Veliaj.

Projekti i “Air Albania Stadium” arriti të triumfojë mes shumë projekteve nga Italia, Bullgaria, Bosnje Hercegovina, Qipro, Republika Çeke, Greqia, Kroacia, Italia, Hungaria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Mali Zi, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Serbia dhe Turqia.

Stadiumi është projektuar si një qendër poli-funksionale, e cila do t’i sjellë gjallëri dhe zhvillim të gjithë zonës. Qendër tregtare, ambiente për argëtim familjar dhe për fëmijët, lokale, restorante, zyra për federatën e futbollit dhe një muze për historinë e futbollit shqiptar.

Të gjitha këto shtrihen përgjatë 6 kateve të stadiumit. Mbi të gjitha, “Arena Kombëtare” ruan identitetin e stadiumit të vjetër ‘Qemal Stafa-s’, në të cilin hodhi rrënjët, me fasadën, monument kulture, e cila qëndron në hyrjen kryesore.

Pas pandemisë, “Arena Kombëtare” nuk do të shijohet vetëm gjatë 90 minutave të lojës, por impianti do të jetë i aksesueshëm në çdo orë të ditës dhe nga të gjitha moshat, ku do të zhvilluar koncerte të të gjitha përmasave.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb