Kur Krushovi vizitoi Shqipërinë në vitin 1959 dha porosinë e tij “të çmuar”: Bëjeni Shqipërinë një oaz turizmi. Nuk keni nevojë të shpenzoni për industri dhe zhvillimin teknologjik të vendit. Për çdo gjë që keni nevojë hajdeni tek ne. Që nga ajo periudhë asnjë lider Shqiptar nuk ka guxuar ta mendojë, jo ta zbatojë këtë porosi të Krushovit, i cili i shikonte Shqiptarët si një vend vasal, si shërbyes të atyre që duan të zbaviten në natyrën e bukur Shqiptare.

Një popull është i humbur në qoftë se nuk punon për zhvillimin e kombit të tij në të gjitha drejtimet, për të përgatitur një brez të ri që të përballojë sfidat e zhvillimit dhe përgatitur për të ardhmen. Avantazhet e krahasuara që vijnë nga burimet natyrore, mineralet apo turizmi janë elemente që mund të krijojnë përparësi në zhvillimin ekonomik të vendit. Një vend i cili nuk mendon për zhvillimin industrial, teknologjinë moderne, në edukimin e një brezi të ri në qendra të zhvilluara kërkimore dhe studimi, do të përfundojë shumë shpejt si shtojca apo vasali i shteteve të tjera të zhvilluara.

60 vite më vonë do të dilte në Shqipëri një aventurier politik, pa vizion që kërkon ta kthejë Shqipërinë në një çiflig turizmi. Qëllimi i vetëm i Ramës është depersonalizimi i shqiptarëve, largimi i tyre nga vendi, kthimi i Shqipërisë në një tokë të djerrë ku ata që kanë abuzuar me pronat dhe pasuritë e tij të jenë rentierët e tokës dhe bukurisë Shqiptare.

Shikoni se cili ka qenë vizioni i zhvillimit të Shqipërisë në 10 vitet e fundit, ku miliarda dollarë janë hedhur për Rilindjen Urbane, ku nuk ka asnjë investim të rëndësishëm në teknologjinë e re, asnjë investim për naftën dhe shfrytëzimin e saj, etj,.etj. Për më tepër vizioni i qeverisë aktuale dhe i Ramës ka mbetur në lyerjen dhe meremetimin e fasadës, në mos hapjen e vendeve të punës, në mosrritjen e rrogave e pensioneve, për të larguar shqiptarët e pashpresë në emigracion, dhe për ti zëvendësuar ata me bangladeshas, sirilankas, afrikanë, për tu ndjerë vetë si sulltanë të arritur dhe të gjithëpushtetshëm. Në paturpësinë e tyre ata kërkojnë të mbajnë pushtetin me modelin e tyre të arrogancës dhe duke premtuar stadium, shkolla futbolli me Alabarin, stadium të Formula Uno, dhe disa mbjellje pemësh që kushtojnë nga 5 mijë euro secila.

Ata janë të gatshëm të shkatërrojnë Portin historik 2000-vjeçar të Durrësit dhe të shpërdorojnë një pronë publike me vlerë mbi 3 miliardë dollarë për ti dhënë mundësi vetes dhe sheikut arab të ndërtojnë apartamente dhe port jahtesh në funksion të çifligut të tyre të turizmit.

Sot Shqipëria ndodhet në udhëkryqin më të madh historik, ku ndryshimi prek jo vetëm sistemin politik, pluralizmin por edhe humbjen e rolit të Shqiptarizmit, një komb aq i vjetër sa vetë historia. Shqiptarët të mos dehen nga ahengjet, tallavatë e batutat e një shakaxhiu bajat, por të bëjnë zgjedhjen e tyre: ose shërbëtorë e vasalë të çifligut të Ramës ose krenarë dhe të vetëdijshëm për rolin e tyre. Zgjedhjet e 14 Majit janë një provë ndërgjegjësie dhe atdhedashurie që Shqipëria të mos shkasë në humnerë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: