Lionel Messi ka vendosur të mos grumbullohet me kombëtaren Argjentinase deri në fund të këtij viti.

Pas një Botërori të vështirë, ku Messi realizoi 1 gol dhe Argjentina u eliminua në 1/16 kundër fituesve të Francës, futbollisti raportohet se ka preferuar t’i bëjë pushim datat kur luhen ndeshjet e kombëtares.

Golashënuesi më i mirë i historisë së Argjentinës i cili u bë kapiten në vitin 2011, ka humbur 3 finale të mëdha që prej kësaj kohe.

Humbja kundër Kilin në vitin 2016 në finalen e Kupës së Amerikës, bëri që Messi të deklaronte tërheqjen nga kombëtarja, megjithëse pak kohë më pas ai ndërroi mendje pas insistimit të tifozëve dhe mjaft figurave të njohura të këtij sporti.

Kjo rezultoi pozitive pasi po mos të ishte për Messi-n Argjentina me shumë gjasa do të kishte mbetur jashtë Botërorit. Ndërkohë tani sipas “ESPN FC”, 31-vjeçari ka vendosur të rrijë larg kombëtares për herë të dytë deri në një njoftim tjetër.

Argjentina e cila përkohësisht drejtohet nga Lionel Scaloni do të ndeshet kundër Guantamalës në Los Angelos më 7 shtator, Kolumbisë në Neë York më 11 shtator dhe Brazilit në një miqësore që do të zhvillohet në tetor.

Carlos Tevez, futbollisti i cili ka luajtur me Messi-n te Argjentina, thotë se do ta kuptojë nësë Messi ka vendosur të fokusohet me klubin e tij, Barcelonën.

“Unë do ta kuptoja nëse Messi nuk do të kthehej në ekipin kombëtar. Kur t’i jep gjithçka dhe kritikat vijojnë është diçka e keqe për të dhe për grupin,”-deklaroi fillimisht Tevez para gazetarëve.

“Unë e kuptoj atë sepse e kam parë nga afër. Është shumë personale, Leo ka marrë kohë për t’u menduar. Ne të dy kemi patur një fazë shumë të mirë në ekipin kombëtar,”-mbyll argjentinasi.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb