Nëse do të duhej të tregohej një kategori që vuan më shumë se çdo tjetër në Argjentinë për karantinën e stërzgjatur për shkak të shpërthimit të koronavirusit, padyshim që janë artistët, kërcimtarët dhe dashamirët e tangos.

Sigurisht, kur thoni Argjentina ju keni thënë Maradona, keni thënë edhe biftek, por imazhi që ju vjen ndër mend është padyshim ai i dy trupave që lëvizin me pasion nën ritmin dy të katërta.

Prej ditësh, media botërore pasqyron nga Buenos Airesi thirrjet alarmante të kërcimtarëve, orkestrave, kompozitorëve, këngëtarëve dhe shkollave të tangos, të prekura nga rregulli i distancës sociale, të imponuar nga autoritetet shëndetësore në të gjithë botën, transmeton Atsh.

Profesori i tangos, Adrian Luna shpjegon se tangoja është “një sindromë përqafuese”, të cilën ne tani po përpiqemi ta kompensojmë në një mënyrë tjetër, pavarësisht nga ajo që konsiderohet thelbësore, kontakti fizik.

Të ndërgjegjshëm për parandalimin e virusit, shoqatat e tangos kanë pezulluar të gjitha ngjarjet publike që më 11 mars, përpara masave kufizuese të vendosura nga qeveria.

Me kalimin e ditëve, megjithatë, alarmi ekonomik është rritur.

“Shumica e artistëve janë punëtorë”, thotë Lucila Diaz Colodrero, nënkryetare e shoqatës ”Tango Dance”.

”Ata jetojnë me shfaqjet publike, të lidhura kryesisht me flukset turistike, të cilat, megjithatë, tani janë zeruar”, shton ajo.

Kështu që, 10 kërcimtarë nga Argjentina, Franca, Italia, Greqia dhe Dubai vendosën të organizojnë një festival ndërkombëtar online ”Unidos Tango Festival”, përmes të cilit mund të mbledhin fonde dhe kështu të jenë në gjendje të ndihmojnë kolegët e tyre në vështirësi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: