“E vërteta e arit që mori mbreti Zog” pas largimit nga Shqipëria, është tema në qendër të diskutimeve këtë mbrëmje në emisionin “Open” në News24. Kjo pas publikimit të një dokumenti nga Drejtoria e Arkivave, ku deklarohej se mbreti Zog mori shumë me tepër ar nga sa dihej deri më tani, plot 250 mijë napolona ari.

Ardit Bido, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, tha se ky institucion nuk bën interpretim të dokumenteve, por vetëm i publikon ato. Sa i përket këtij rasti, Bido thotë se i takon historianëve për të zbuluar vërtetësinë e këtij dokumenti.

“DPA nuk bën interpretim të dokumenteve, nuk thotë dot për besueshmërinë, ua lë historianëve këtë. Kur vjen fjala tek interpretimi, bëhet në bazë të një mori dokumentesh.

Italia fashiste dhe qeveria e Tiranës, menjëherë fillon dhe bën gjueti për të evidentuar problematika në lidhje me mbretin Zog, sepse dëshironte të legjitimonte atë që ndodhi, kalimi i kurorës mbretërore tek Viktor Emanueli, dhe më së shumti fokusohej tek tentativa që kishte një grabitje nga mbreti. Për këtë arsye zhvillohet një hetim. Nuk di të them nëse kjo letër është pjesë e hetimit.

Ne dinim se ishin 158 kg ar, ndërkohë që sipas këtij dokumenti rezulton të jetë shumë më shumë. Ka disa raportime në lidhje me pasurinë që kishte mbreti në mërgim”, u shpreh ai.

Sakaq, lidhur me reagimin që erdhi nga Princ Leka, Bido thotë se ka pasur një komunikim me këtë të fundit, duke shtuar se Arkivat nuk kanë tejkaluar asnjë kufi, dhe se kanë publikuar një dokument, sikundër ndodh edhe për raste të tjera.

“Pata një komunikim me Princin, dhe besoj se është pak më e hershme kjo deklaratë. Ishte një komunikim krejt i qartë. Arkivi është institucion që nuk kalon kufij. Ne pasqyrojmë dokumente siç janë pa i bërë interpretime. Pjesa e interpretimit i përket gjithsecilit, asnjë dokument nuk përbën të vërtetë absolute. nuk besoj se është tejkaluar”, tha Bido.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: