Raketa ”Ariane 5” vendosi me sukses teleskopin hapësinor ”James Webb” në orbitë, të cilën do ta arrijë brenda një muaji, njoftoi drejtori i operacioneve të nisjes në Qendrën Hapësinore të Guajanës.

“Teleskopi Webb u vendos suksesshëm”, deklaroi Jean-Luc Voyer nga qendra e kontrollit në Kourou.

Faza e sipërme e raketës ”Ariane” lëshoi ​​teleskopin pas 27 minutash fluturimi, i cili tani do të kërkojë rreth një muaj kohë për të arritur në vendin e tij të vëzhgimit, 1,5 milionë kilometra nga Toka.

”Ariane 5” u ngrit në kohë duke marrë instrumentin më të sofistikuar të vëzhgimit të Universit për të shkuar në hapësirë.

Prodhuar nga NASA, me bashkëpunimin e agjencive hapësinore evropiane (ESA) dhe kanadeze (ACS), ngarkesa e çmuar fluturoi mbi Atlantik, pastaj Afrikë, deri në ndarjen përfundimtare, e cila u zhvillua në një lartësi prej 1 400 kilometrash dhe një shpejtësi prej mbi 34 000 km/h.

Një kamerë në bord në katin e sipërm të ”Ariane” tregoi këtë ndarje dhe veçanërisht vendosjen disa sekonda më vonë të paneleve diellore të ”James Webb”.

Imazhet e këtij momenti kritik, veçanërisht për furnizimin me energji të instrumenteve të teleskopit, shkaktuan duartrokitje të forta në qendrën e kontrollit.

Kontrollet e ”James Webb” janë tani në duart e NASA-s, nga Instituti Shkencor i Teleskopit Hapësinor në Baltimore (Shtetet e Bashkuara të Amerikës).

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb