Partia socialdemokrate me orientim të majtë e Zoran Zaev, bën revolucion të thyer në Maqedoni sepse refuzon të dalë në zgjedhje të cilat do t’i humbasë. Huffington Post, shkruan se strategjia e LSDM opozitare është që përmes protestave të dhunshme të rrëzohet qeveria legjitime në Maqedoni, meqë këtë nuk mund ta bëjë përmes zgjedhjeve, transmeton Telegrafi Maqedoni.

-Duke i ikur ballafaqimit me votuesit, Zaevi dhe partia e tij krijojnë një revolucion laraman. I sjellin përkrahësit e tyre në rrugë dhe përdorin dhunë. Kur për herë të parë këtë  e bënë në vitin 2015, Bashkimi evropian ndërhyri dhe ndërmjetësoi dhe e gjithë kjo përfundoi me Marrëveshjen e Përzhinos, sipas të cilës zgjedhjet duhej të mbahen më 24 prill.

Si rezultat i presioneve të partisë së Zaev, data e zgjedhje u shty për 5 qershor. Tani, Zaev, i cili ballafaqohet me akuza për përgjim të paligjshëm, sërish tenton t’i shtyjë zgjedhjet, shkruan Huffington Post, duke përkujtuar që protestat të cilët i organizon opozita janë identike me ato të revolucioneve laramane në pranverën arabe.

Gjithnjë sipas tyre, lideri më i popullarizuar në Maqedoni, në të kaluarën, e me siguri edhe në të ardhmen është Nikola Gruevski, nën udhëheqjen e të cilit shteti ka demonstruar përparim ekonomik mbresëlënës.

Në tekst është potencuar edhe ajo që paqja në Maqedoni është prishur për shkak të akuzave të PSP.

Huffington Post është një ndër webfaqet me ndikim më të madh politik, njëkohësisht një ndër mediat më të lexuara, shkruan tg Maqedoni. Deklarohet si media liberale dhe majtiste. Autor i këtij teksti është Ariel Cohen, përfaqësus i lartë i Këshillit atlantik, njëkohësisht edhe specialist për çështje të sigurisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb