Qeveria e Maqedonisë së Veriut duke filluar nga dita e ejte ka shpallur tre ditë zie pas zjarrit që përfshiu të mërkuren Spitalin modular në Tetovë, ku po trajtoheshin të prekurit nga koronavirusi. Në këtë incident humbën jetën 14 vetë, ndër to pacientë dhe familjarë të tyre. Zëri i Amerikës intervistoi Kryetaren e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi për këtë ngjarje të rëndë.

Zëri i Amerikës: Zonja Arifi, çfarë dihet deri më tani për shkakun e zjarrit?

Teuta Arifi: Sa i përket shkaqeve të zjarrit, gjithsesi është një çështje që është marrë nga hetuesia dhe prokurori i përgjithshëm, i cili e ka për obligim që të bëjë hetimin e kësaj ngjarje. Prandaj, derisa nuk jepen të dhënat zyrtare pikërisht nga këto institucione të cilat kanë për detyrë që të bëjnë hetimet e duhura në lidhje me këtë rast, është shumë e qartë që ne nuk mund të japim ndonjë deklaratë tjetër. Por, ajo që mund të thuhet është se bëhet fjalë për një tragjedi të përmasave të mëdha dhe me pasoja serioze për qytetarët tanë.

Zëri i Amerikës: Qeveria në Shkup njofton se ka pranuar ndihmë nga jashtë lidhur me zhvillimin e hetimeve mbi incidentin mbrëmë në Tetovë. Këto hetime që sapo diskutuat, a janë të veçanta nga hetimet që ka nisur prokuroria e Tetovës?

Teuta Arifi: Siç u informuam zyrtarisht nga mbledhja e sotme e qeverisë, domethënë nga shtetet mike është ofruar që të ndihmohet procesi i hetimit edhe nga institucione ndërkombëtare. Meqenëse hetimi udhëhiqet nga kryeprokurori shtetëror dhe normalisht prokurorët e lartë dhe prokurorët e nivelit themelor të Tetovës, gjithsesi do të duhej të kishte një bashkëpunim në këtë drejtim, aq më tepër përsa i përket edhe rezultateve të cilat janë gjithnjë e më shumë të pritura nga të gjithë ne për të gjetur dhe për të pasur të qarta arsyet, shkaqet e kësaj situate.

Zëri i Amerikës: Si rezultat i përmasave shkatërrimtare të zjarrit është thënë që do të jetë e vështirë të identifikohen disa nga viktimat. Sa ka ecur puna për identifikimin e trupave?

Teuta Arifi: Nga informacionet që kemi është fjala për 14 viktima dhe për disa prej tyre është duke u zhvilluar procesi i identifikimit përmes ADN-së. Dhe ne jemi informuar që ky proces do të duhej që të përfundonte deri ditën e nesërme (të premten). Megjithatë, janë institucionet e mjekësisë ligjore në Shkup, të cilat duhet ta përfundojnë këtë proces sa më shpejt.

Zëri i Amerikës: Zonja Arifi, spitalet modulare, siç është ky në Tetovë që u përfshi nga zjarri, u ndërtuan me ngut për shkak të pandemisë së COVID-19. A do të hetohen standardet e këtyre strukturave?

Teuta Arifi: Që nga paraqitja e koronavirusit dhe situatës së krijuar nga ky virus, ka më shumë spitale modulare të ngjashme me spitalin e Tetovës. Të gjitha këto spitale janë ndërtuar në bazë të një ligji special, i cili është votuar në parlament për të bërë të mundshme vendosjen e këtyre spitaleve modulare. Gjithsesi, procesi i hetimit, besoj se përfshin një gamë të gjërë të të gjitha pistave dhe të gjitha aspekteve të funksionimit për një qëllim, për të gjetur shkakun se pse e gjitha ka përfunduar me një tragjedi të këtyre përmasave dhe që për ne është normalisht një dhimbje e madhe.

Zëri i Amerikës: Po shtohen kërkesat për llogari-dhënie, veçanërisht nga opozita shqiptare, pas tragjedisë së Tetovës. A u bashkoheni këtyre thirrjeve dhe çfarë natyre mund të ketë kjo përgjegjësi?

Teuta Arifi: Ne jemi tani në dhimbje të madhe dhe ajo që është shumë e rëndësishme është që të gjithë të bashkohemi në këtë dhimbje të madhe që e kemi ndaj vëllezërve dhe motrave tona, të cilët sot për fat të keq nuk janë në mesin tonë. Normalisht që edhe çështjet e natyrës së përgjegjësisë janë të gjitha pjesë e punës. Mirëpo kjo varet nga rezultatet e hetimeve, të cilat duhet të përfundohen, dhe në bazë të saj, normalisht edhe të jepet llogari për çdo lloj lëshimi, i cili mund të kishte pasoja të rënda.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb