Zbardhet vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për prokurorin e Durrësit, Arjan Ndoj, që i shpëtoi atentatit te mbikalimi i Shkozetit.

Janë 45 faqe vendim, në të cilat gjenden thuajse të gjitha shkeljet që KPK pretendon që ka gjetur për prokurorin e Durrësit.

Në vendimin e siguruar për “BalkanWeb” nga gazetarja Klodiana Lala, mes të tjerash bie në sy zbulimi i një morie kontaktesh që prokurori ka pasur me njerëz të politikës dhe të sistemit të drejtësisë, ku përmendet edhe lidhja e tij me Aleksandër Lahon, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, person me precedentë kriminalë.

Pjesë nga vendimi i KPK:

19. DSIK-ja, me shkresën nr. *** prot., datë 1.12.2020, vuri në dispozicion të Komisionit raportin e rishikuar mbi kontrollin e figurës për subjektin e rivlerësimit Arian Ndoja, i deklasifikuar pjesërisht me vendim nr. *** prot., datë 9.12.2020, të KDZh-së, në përmbajtje të të cilit referohet se: “Në vijim të informacioneve të ardhura nga institucioni i verifikimit, në kohështrirje gjatë periudhës së rivlerësimit për përfshirje në korrupsion pasiv të subjektit të rivlerësimit Arian Z. Ndoja, në disa raste rezulton se:
– gjatë periudhës në të cilën z. Arian Ndoja ushtronte detyrën si prokuror, në vitet 2018-2019, dyshohet se ka ushtruar ndikim të paligjshëm, duke favorizuar persona me precedent penal;
– për prokurorin Arian Ndoja, disponohen të dhëna, ku vihemi në dijeni se në vitet 2009 – 2010 ka pasur kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar.
Autoritetet verifikuese informojnë, gjithashtu, se:
– shtetasi A. L. (P./L. M., ‘***’) evidentohet si lidhje bashkëpunuese e Arian Ndojës, i cili sinjalizohet se është përfshirë në veprimtari të kundërligjshme, shfaqur në formën e korrupsionit aktiv, si dhe ka ndikuar në caktimin e trupës gjykuese në një proces civil, për një çështje pronësie, për favorizimin e një pale;
– në ngarkim të shtetasit A. L., alias P. M. (‘***’), administrohen të dhëna të cilat ngrenë dyshime të arsyeshme për përfshirje/pjesë e krimit të organizuar …;
– po kështu, shtetasi ….sinjalizohet si lidhje e pakonfirmuar e Arian Ndojës dhe dyshohet si lidhje e personave të… Për subjektin e rivlerësimit Arian Ndoja, referuar burimeve të hapura mediatike të datës
1.11.2019, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në zonën e Sh***, ku subjekti i rivlerësimit mbeti i plagosur nga një atentat me armë zjarri, rezulton se ka qenë i shoqëruar në makinë me shtetasin A. L., lidhje shoqërore e z. Arian Ndoja. Ky shtetas, rezulton të jetë person me precedent penal dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Aktualisht kjo ngjarje është në hetim nga ana e Prokurorisë së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb