Në studion e emisionit “Real Story”, në “News 24”, po diskutohet për rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë. Një ndër të ftuarit në studio, analisti Arjan Vasjari, tha se fitorja e Kurtit tregon se demokratia në Kosovë është shumë para nesh.

Analisti tha se pas Ibrahim Rugovës, Albin Kurti është aktori politik që ka krijuar impakt në shoqëri.

Por ai theksoi se Kurti ka disa sfida, ku përmendi krizën ekonomike në Kosovë, vështirësitë për një shtet të së drejtës, por mbi të gjitha vendosjen e marrëdhënieve të mira me ndërkombëtarët.

“Unë e besoj që 14 shkurti ishte një deklaratë e madhe dashurie e Kosovës ndaj Albin Kurtin, me të gjithë misteret dhe të panjohura të dashurisë. Të paktën në procedurë demokratike Kosova është shumë më para nesh. Në një kuptim mua më shqetëson që ne na entuziazmon Kosova në këto raste. Pa mohuar këtu Albin Kurtin si një aktor politik, unë besoj se pas Rugovës, të paktën në analizën time, mbetet aktori politik më potent. Megjithatë, nëse do të më pyesje se çfarë ka prodhuar data 14, ka prodhuar një revolucion, një shumicë, por unë besoj se ka prodhuar dhe një polarizim për shoqërinë Kosovare, e cila i shkon për shtat ligjërimit të Vetëvendosjes. 14 shkurti është një moment referendar në fakt, tregoi qartë vizionin e Albin Kurtit në raport me kundërshtarët e tij. Ai ka dhe një avantazh tjetër, që sfida e tij e parë politike që duhet të përballet është çështja e presidentit. Partitë tashmë në opozitë të skenës politike atje duhet të ruhen nga tentacioni për të krijuar krizë. Ata duhet reflektuar nga mënyra se si u sollën me Albin Kurtin. Sfidat e Albin Kurtit janë të shumta. Ai duhet të ballafaqohet së pari me ekonominë, e cila në Kosovë është e vështirë. Ndër të tjera, Kosova ka shumë probleme me shtetin e së drejtës. Albini nuk ka asgjë në dorë për të vendosur drejtësi, por ai reflekton në fakt një ideologji dhe identifikojë një problem, atë të shtetit të së drejtës që është problem i madh. Por problemi i problemeve është marrëdhënia që ai do të krijojë me ndërkombëtarët”, tha analisti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb