Nga: ANISA YMERI
TIRANE- Kundërshtia publike, e hapur dhe e ashpër e arkitektëve për mostjetërsimin e Hotel “Dajtit”, vijon. Projekti i porositur nga Banka e Shqipërisë që ka në pronësi objektin prej vitit 2010 e i realizuar nga arkitekti italian Marco Petreschi, kundërshtohet prej specialistëve sepse sipas tyre, nëse Këshilli i Restaurimit e miraton këtë projekt, do të thotë shkatërrim i një monumenti dhe i kujtesës së Tiranës pasi zhbëhet kështu një objekt në listën e trashëgimisë, pjesë e qendrës historike të kryeqytetit.
Në studion e emisionit “Në Tempull” të gazetares Anisa Ymeri vijnë argumente kundër projektit të BSH-së për ta shndërruar hotelin në zyra, dhe kërkojnë votën kundër të anëtarëve të KKR-së.
Theksi s’mund të mos jetë në thirrjen që specialistët i bëjnë ministres Kumbaro dhe Këshillit Kombëtar të Restaurimit, që të mendojnë për trashëgiminë dhe jo për shifrat!
Ende nuk ka njoftim zyrtar se kur është parashikuar mbajtja e mbledhjes së radhës së Këshillit Kombëtar të Restaurimit që drejtohet nga ministrja Mirela Kumbaro, mbledhe ku pritet të votohet për projektin, por ajo që dihet me siguri nga mbledhja e shkuar është shumë anëtarë të KKR-së, e kanë kundërshtuar projektin që e kthen Dajtin në zyra të Bankës së Shqipërisë.
Ndërsa kundërshtia e parë e projektit e ka gjenezën në Këshillin Shkencor të Institutit të Monumenteve ku mësohet se së paku dy anëtarë të tij, Prof. Pirro Thomo dhe Florian Nepravishta, e kanë kundërshtuar ashpër projektin dhe kanë kërkuar që në relacionin zyrtar të këtij Këshilli Shkencor të IMK-së, paraqitur në mbledhjen e KKR-së, të theksohet kjo kundërshti me argumentin kryesor që ndryshimi i funksionit, cenon vlerat për të cilat ai mban edhe statusin e monumentit të kulturës.
(el.sp/BalkanWeb)