NGA FATMIRA NIKOLLI*
Festivali i Librit dhe i Arteve Pamore, që vjen në edicionin e tij të dytë do të mbahet në datat 6-10 maj, në Pallatin e Kongreseve. Një prej organizatorëve të tij, Arlinda Dudaj, tregon për “GSH” formatin e ri me të cilin ai do të vijë para publikut. Si fillim, emri që do mbajë është “Tirana Open”, ndërsa do të ngërthejë brenda vetes, librin, artet pamore, muzikën dhe arkitekturën.

Arsyeja pse ai transferohet nga Muzeu Historik Kombëtar për tek Pallati i Kongreseve ka të bëjë vetëm me hapësirën, ndërsa disa prej aktiviteteve do të zhvillohen tek piramida dhe Universiteti i Arteve. Njëherësh, pjesë e “Tirana Open” do të jetë edhe Galeria Kombëtare e Arteve si edhe Galeria FAB (e Fakultetit të Arteve të Bukura). Bashkëdrejtorë për artet pamore janë Vladimir Myrtezaj dhe Helidon Gjergji. Edhe këtë vit do të ndahen dy çmime: “Ardian Klosi” për librin dhe “Danish Jukniu” për artet pamore. Në intervistën e mëposhtme, Dudaj flet për detajet.

Si do të jetë këtë vit Festivali i Librit dhe Artit?
Këtë vit, Festivali i Librit dhe i Artit, do jetë shumë më i madh dhe do të jetë një event kulturor që do mbajë emrin “Tirana Open”. Tirana në datat 6 deri në 10 maj do të kthehet në një qytet të artit. Aktivitetet do të shkojnë deri në datën 12 maj por më kryesoret do të mbahen deri në datën 10. “Tirana Open”, do ketë aktivitete nga katër fusha. I pari, një panair libri brenda mjediseve të Pallatit të Kongreseve, ku janë të ftuar të gjithë botuesit, ku ndodhin shumë evente kulturore, që i përkasin librit, duke filluar që nga prezantimet e botimeve dhe autorëve. Do të jenë 5 autorë të huaj që janë të ftuar dhe do të ketë diskutime për librin, për tekstet shkollore, rrymat e sotme, copyright-et. Kjo do jetë në katin e parë të Pallatit të Kongreseve ku do të të jepet edhe çmimi “Ardian Klosi”(që jepet nga Traduki).
E dyta, në katin e nëndheshëm, do të zhvillohet PaMur-i, me punë të artistëve kryesisht ndërkombëtarë, që sigurisht do të konkurrojnë për çmimin “Danish Jukniu”. Punët e artistëve kontemporanë do të qëndrojnë të ekspozuara deri në datën 12 maj, pra dy ditë më shumë se panairi dhe në këtë ditë jepet edhe çmimi.
Ndërkaq, do të ketë animime që do të zhvillohen jashtë Pallatit të Kongreseve(si edhe brenda), por që do jenë pjesë e “Tirana Open”. Do të ketë një koncert rroku tek piramida, një opera që vjen nga Bienalja e Venecias (nga Teatri i Salentos) që do të shfaqet tek Akademia e Arteve.
Nuk do të mungojë edhe një aktivitet për arkitekturën, ndërsa do jenë të hapura GKA dhe FAB, brenda ‘Tirana Open’. Pra, janë katër fusha: Librat, artet pamore, muzika dhe arkitektura.
Sa u takon botuesve pjesëmarrës, a do jenë pjesë e festivalit ata që munguan vitin e kaluar, botuesit që organizojnë panairin e nëntorit?
Akoma nuk janë mbyllur të gjitha procedurat. Janë të hapura deri në fillim të prillit. Interesi ka qenë i madh. Janë pothuajse të gjithë, ne i kemi ftuar të gjithë, ka edhe nga ata që ende nuk i kanë konfirmuar. S’kemi dashur të bëjmë përjashtime, kemi dashur të gjithë bashkë. Do telefonohen ata që s’janë përgjigjur ende, për t’u pyetur për pjesëmarrjen.
Pra, nuk e kanë konfirmuar?
Ende nuk janë mbyllur të gjitha procedurat.
Cilët janë artistët që marrin pjesë tek PaMuri?
Është Anri Sala dhe Adrian Paci që janë të konfirmuar. Do ketë artistë ndërkombëtarë emrat e të cilëve ende nuk mund t’i them. Ndërkohë duhet të them se jemi tre co-director(bashkëdrejtues) të “Tirana Open”, pra të këtij festivali libri dhe arti, unë, Vladimir Myrtezai dhe Helidon Gjergji. Do ketë edhe prani të ambasadave siç ka pasur ndihmë prej tyre, sepse ka autorë që jetojnë jashtë dhe vijnë me ndihmën e tyre, e një ndihmë të madhe ka dhënë edhe Instituti Italian i Kulturës.
Sa i takon anës financiare, si ka qenë mbështetja e Ministrisë së Kulturës?
Nga Ministria e Kulturës kemi marrë financim, edhe pse është një financim i vogël në krahasim me përmasat e festivalit. Por do ia dalim. Nuk dua nga ana tjetër të vihen paralele me panairin, sepse vërtet këtu ka një panair libri, por është një pjesë e gjithë këtij eventi. Janë katër fusha, jo vetëm libri.
Po përpiqemi me anë të sponsorëve të arrijmë të mbyllim gjithë ç’duhet bërë. Sponsorët kanë qenë më shumtë për artet se sa për librin, ndërsa ambasadat ndihmojnë për të ftuarit.
Cilët janë autorët e ftuar?
Nga autorët që janë ftuar të jenë këtu gjatë ditëve të Festivalit të Librit për të promovuar veprën e tyre, përmendim, Victoria Hislop, nga Britania e Madhe, autore e romanit “Ishulli” 8-10 maj; Drago Jancar, nga Sllovenia, autor i romanit “Druri pa emër” 6-8 maj; Dania Bignardi dhe do të donim të kishim, por ende nuk e kemi konfirmuar, Roberto Savianon.
Festivali që bëhej në prill në Muzeun Historik Kombëtar do të bëhet në maj në Pallatin e Kongreseve. Pse?
Në maj sepse koha është më e mirë dhe mjedisi më i afërt për kulturën. Ka panaire të mëdha që bëhen në maj dhe është edhe një klimë shumë e mirë. Është edhe fillim muaji dhe të jetë më mirë, sepse njerëzit ende nuk janë rraskapitur. Ndërkohë, lëvizja e nga MHK në PK, u bë për çështje hapësirash. Nuk del kurrsesi të bësh një gjë të përmasave kaq të mëdha në një hapësirë të vogël.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb