TIRANË

Forcat e policisë së komisariatit nr.6 në Tiranë kanë finalizuar një tjetër operacion në fushën e armëmbajtjes pa leje duke sekuestruar 3 armë zjarri dhe 308 fishekë luftarak si dhe vënë në pranga një 47-vjeçar që posedonte armët.

Në zbatim të planit të masave për evidentimin dhe kapjen e personave me tendencë armëmbajtjeje pa leje, falë edhe informacioneve të marra nga qytetarët se një shtetas posedonte disa armë zjarri, shërbimet e Seksionit të Policisë kriminale të Komisariatit të Policisë Nr. 6, organizuan dhe zhvilluan operacionin policor të koduar “Peza”, i cili u finalizua me kapjen në flagrancë të shtetasit D. H., 47 vjeç, banues ne Ballashenj, Njësia Administrative Pezë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pistoletë me 8 fishekë.
Po në vijim të kontrollit, në afërsi të banesës së këtij shtetasi, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan edhe dy armë zjarri të tjera, konkretisht një automatik kallashnikov dhe një pushkë, si dhe 300 fishekë luftarakë.

Vijon puna në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit Gjyqësor Tiranë me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të shtetasit D. H. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb