Zbardhen të tjera detaje për vrasjen e 27-vjeçarit Mehmet Qema, që tronditi Tiranën mbrëmjen e kaluar. Gazetarja Dorjana Bezat zbardh për “BalkanWeb” dëshminë e autorit të dyshuar, 28-vjeçarit Marjus Dema, i cili u vetëdorëzua në polici paraditen e sotme.

Siç mëson gazetarja Bezat, autori ka thënë para hetuesve se nuk kishte dijeni që arma kishte plumba brenda, ndërsa është shprehur se atë e kishte sjellë në tavolinë vetë viktima.

“Armën në tavolinë e solli Mehmeti, na tha se e kishte gjetur në rrugë. Arma ishte pa karikatorë dhe e vjetër. Unë e mora pasi i kam qejf armët dhe po luaja me të e po ua drejtoja shokëve, sepse e konsideroja të padëmshme. Nuk e dija se kishte plumb brenda. Pas krimit u trondita shumë nuk e mbaj mend ku e lashë armën”, mësohet të ketë thënë 28-vjeçari në polici.

Ndërkohë, në pamjet e siguruara për “BalkanWeb” nga kamerat e sigurisë të lokalit, ku ndodheshin të rinjtë, dukej se 27-vjeçari shfaqej i ulur në tavolinë dhe disa herë komunikonte me shokun e tij, që mbante armën dhe i kërkonte atij ta ulë atë.

Nga ana tjetër, në këmbë shfaqej Marjus Dema, i cili bënte lëvizje të pa kontrolluara, duke e mbushur pistoletën disa herë, derisa ajo qëlloi dhe plumbi kapi në gjoks Mehmet Qemën, i cili bie menjëherë në tokë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb