Kryetarja e Autoritetit të Medieve Audiovizive, Armela Krasniqi zhvilloi një vizitë zyrtare në Institutin Shtetëror për Komunikimin në Republikën Federale të Gjermanisë.

Krasniqi u prit në takim nga Dr. Wolfgang Kreissig, kryetar i Institutit, në përbërje të të cilit janë 14 autoritete rregullatore gjermane, të ndara sipas landeve, dhe Peter Matzneller, drejtues i Marrëdhënieve me Jashtë në Institut, njëherësh nënkryetar i bordit të ERGA-s.

Zyrtarët diskutuan mbi sfidat e përbashkëta me të cilat përballen autoritetet rregullatore në ditët e sotme si dhe nevojën e forcimit të bashkëpunimit përmes shkëmbimit të informacionit dhe mbi të gjitha ndjekjes së praktikave më të mira në këtë drejtim.

Bashkëbiseduesit u ndalën tek rëndësia që ka implementimi i Direktivës 2018/1808 si një mjet i mirë për të rregulluar disa aspekte të rëndësishme të tregut mediatik.

Sipas Dr. Kreissig, Gjermania në cilësinë e vendit kontribuues për përpilimin e kësaj Direktive, ka përfunduar implementimin e saj dhe është në fazën e diskutimit të çështjeve me të cilat tregu mediatik përballet për shkak të zhvillimeve të vrullshme teknologjike.

Krasniqi dhe Dr. Kreissig u ndalën dhe tek vëmendja që i duhet kushtuar edukimit mediatik përmes gjithëpërfshirjes së aktorëve përkatës në këtë fushë.

Në fund të këtij takimi, krerët e institucioneve u ndalën tek monitorimi i përmbajtjeve dhe rëndësia që ky proces të kryhet si një vlerë e shtuar në ofertën programore që i bëhet publikut.
Dr.Kreissig iu përgjigj pozitivisht ftesës për të vizituar AMA-n dhe Shqipërinë në një moment të përshtatshëm për të dy palët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb