Armenët po votojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që po mbahen pas krizës politike të shkaktuar nga mposhtja e forcave armene nga Azerbajxhani, gjatë luftës gjashtëjavore në rajonin e shkëputur të Nagorno-Karabakut. Kryeministri Nikol Pashinian thirri zgjedhjet e reja, pas protestave të opozitës, që kritikuan atë për humbjen në luftë, e cila përfundoi pas arritjes së marrëveshjes së armëpushimit në muajin nëntor, që u ndërmjetësua nga Moska.

Marrëveshja e brishtë e paqes riktheu sovranitetin e Azerbajxhanit mbi një pjesë të Nagorno-Karabakut, që ishin kontrolluar nga forcat etnike armene, që prej një lufte të zhvilluar në fillim të viteve 1990. Kjo humbje tronditi armenët dhe nxiti krizë politike brenda vendit. Që prej arritjes së armëpushimit, besimi i publikut ndaj kryeministrit Pashinian ka rënë nga 60 për qind në 24 për qind.

Në zgjedhjet e 20 qershorit garojnë 21 parti dhe katër koalicione. Por, sondazhet sugjerojnë se partia e Pashinianit “Kontrata Civile” dhe partia e sapoformuar “Aleanca Armene” e ish-presidentit, Robert Kocharian, do të fitojnë rreth 24 për qind të mbështetjes.

Rreth 2.6 milionë qytetarë kanë të drejtë vote në këto zgjedhje edhe pse ka indikacione që dalja në zgjedhje do të jetë e ulët. Rezultatet e para pritet të dalin në orët e vona të 20 qershorit, por rezultatet përfundimtare do të bëhen publike në ditët apo javët në vazhdim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: