Nga: ERVIN BAKU*
“Mos fi lloni të këndoni para festës”. Ky është mesazhi. Ky është thelbi i gjithçkaje. Trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi ka zënë mend nga edicioni i kaluar i eliminatoreve. Pasi fituam në Norvegji, më 22 mars 2013, ne të gjithë morëm kot. Fluturuam në ajër. Edhe vetë Xhani. E pamë veten në ‘Brazil 2014’. Vazhdimi i historisë dihet. Dolëm në vendin e parafundit në grupin më të lehtë që Shqipëria ka pasur në të gjithë historinë e saj të eliminatoreve, europiane dhe botërore të marra së bashku. Të vijmë tek edicioni i tanishëm. Jemi sërish në pozicionin ideal për të prekur ëndrrën, për të shkuar në ‘Francë 2016’. Që do të ishte performanca më e mirë e futbollit shqiptar të të gjitha kohërave. Pasi kemi mundur Portugalinë në shtëpinë e saj, kemi barazuar me Danimarkën në “Elbasan Arena”, më pas kemi barazuar në Beograd me Serbinë dhe në fund kemi kthyer “gjelat” në “pula” brenda në Francë. Pra, në katër ndeshjet e para, nuk kemi humbur në fushën e lojës. Kemi humbur vetëm një herë, jashtë saj. Në Beograd. Aty ku na u bë padrejtësia më e madhe e mundshme. Aty ku UEFA certifikoi dhunën dhe racizmin kundër Shqipërisë. Dhe ne e votuam përsëri pardje kreun e saj. Edhe pse ai na shkeli me këmbë… Nejse, kemi një start të shkëlqyer në këto eliminatore. Të dielën kemi një ndeshje në shtëpi, kundër Armenisë. Të gjithë mendojnë për një fitore të padiskutueshme që do të na çonte në kuotën e 7 pikëve. Do të na çonte në pozicionin ideal të play-offit. A i rri mirë ky kostum euforie që duam t’i veshim kësaj kombëtareje? Patjetër që jo. Shqipëria ka qenë historikisht e fundit dhe e parafundit në grup dhe në rastet më të mira dy vende para fundit. E pra, Armenia është kockë shumë e fortë. Ka 17 futbollistë që luajnë në kampionatet më elitarë të kontinentit. Ka dy futbollistë që vlejnë sa e gjithë Kombëtarja jonë e futbollit. Armenia duhet marrë më shumë se seriozisht. Duke ndjekur përsëri ecurinë historike të kësaj Kombëtareje modeste, mëson se ne nuk dimë të rrimë me këmbë në tokë. Kemi pasur shumë herë fillime shumë të mbara apo dhe të bujshme. Dhe me Kombëtare po aq shumë cilësore sa kjo e sotmja. Dhe jemi rrëzuar atëherë kur të gjithë bashkë kujtonim se do të shkonim shumë larg. Kujtova vetëm edicionin e fundit të eliminatoreve. E kujtova edhe për Elvanën, Florin, Shakon dhe Xhihanin. Se janë të rinj jo për gjë. I kujtova për t’i kujtuar se një ndeshje futbolli nuk fitohet me këngë dhe videoklipe. Futbolli luhet dhe fitohet në fushë. Çdo komb mund të thotë se ka flamurin më të bukur në botë. Po kjo nuk të bën ty më patriot se një komb tjetër. Patriot bëhesh atëherë kur ti bën ndershmërisht punën tënde. Pastaj, videoklipe të tilla kombëtare nxirren kur të sigurojmë të paktën një pjesëmarrje në një Europian apo Botëror. Pse këndojmë gjithmonë para festës? Të hënën isha në FSHF. Për konferencën e shtypit të Xhani De Biazit. Më pëlqen shumë diskursi i tij i tanishëm. Është me këmbë në tokë. E ka marrë shumë seriozisht Armeninë. Pikërisht ashtu siç duhet marrë. “Është ndeshja më e rëndësishme e karrierës sime”, deklaroi italiani. Edhe për ne Xhani. Kjo është ndeshja më e rëndësishme e Shqipërisë. Me sistemin e ri të UEFA-s (ku vendi i tretë shkon në play-off), një fitore do të na afronte më shumë me Francën. Sepse vetë De Biazi ka deklaruar për mediet armene se “Portugalia dhe Danimarka do të shkojnë direkt në Francë dhe se për vendin e tretë do të jetë një luftë e ashpër mes Shqipërisë, Serbisë dhe Armenisë”. Pra, të rrimë me këmbë në tokë nuk na bën veçse mirë. Të dielën luajmë kundër Armenisë. T’i marrim ndeshjet një nga një. Kemi edhe pesë finale përpara…

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: