TIRANË- Ministria shqiptare e Mbrojtjes ka reaguar pas investigimit të rrjetit të gazetarisë BIRN dhe sqaron marrëveshjen me kompaninë bullgare, për të cilën thotë se është e licencuar nga Bullgaria ndërkohë që është verifikuar nga shërbimet e inteligjencës dhe organet e tjera kompetenve.

Në një reagim për mediat thuhet se Ministria e Mbrojtjes nëpërmjet ndërmarrjes “MEICO” që në vitin 2013 ka vendosur që të gjithë veprimtarinë e saj, përsa i përket e eksportit të stoqeve të armatim-municioneve, të trashëguara prej kohës së luftës së ftohtë ta kryejë me shtete që “end user” janë vende anëtare të NATO-s.

“Kësisoj, kjo veprimtari është kryer në përmbushje të plotë me legjislacionin ndërkombëtar, detyrimet që ka Shqipëria si vend anëtar i NATO-s, si dhe angazhimeve, marrëveshjeve, traktateve të ndryshme ku vendi ynë është i përfshirë”, thekson më tej Ministria e Mbrojtjes.

Sipas saj, ky proces është tejet transparent dhe i monitoruar nga disa organizma ndërkombëtarë.
“Në lidhje me shkrimin në gazetat e sotme për shitjen e armëve ju informojmë se:
Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, licencon eksportin e armëve vetëm në bazë të garancive shtetërore nga vendi importues.Gjithashtu çdo kompani e huaj apo shqiptare e përfshirë në një transferim armësh verifikohet nga Shërbimet e Inteligjencës si dhe nga organet e tjera që disponojnë informacione”, deklaron MM.

Në lidhje me shoqërinë “Alguns LTD”, Ministria e Mbrojtjes thotë se është marrë edhe informacion nga qeveria Bullgare, e cila është shprehur që kjo kompani disponon licencat përkatëse për këtë lloj aktiviteti, si dhe i ka kaluar kontrollet e sigurisë.
“Gjithashtu Bullgaria është një shtet anëtar i BE-së dhe NATO-s, dhe ka një sistem kontrolli eksportesh të konsoliduar”. Informacioni mbi eksportet dhe importet e armëve, përgatitet çdo vit nga AKSHE-ja dhe është i aksesueshëm për publikun në faqen: http://www.seesac.org/National-and-Regional-Reports-on-Arms-Exports/

Sipas investigimit të BIRN, kompania shtetërore e eksportit të armëve, MEICO i ka shitur 17.5 milionë fishekë kinezë, 350 mortaja dhe 40,000 predha mortajash në vitin 2015 kompanisë bullgare Alguns Ltd, e cila ishte pjesë e programit të SHBA-ve për trajnimin dhe pajisjen e rebelëve sirianë.

Kjo firmë dyshohet të ketë qenë e lidhur me një shpërthim vdekjeprurës në një poligon qitjeje në Bullgari në vitin 2015, i cili shkaktoi vdekjen e një trajneri të punësuar nga Pentagoni si punonjës në projektin e Sirisë, thuhet në shkrim.

Alguns Ltd është në pronësi të Alexander Dimitrov, i cili njihet si një partner biznesi i figurës famëkeqe bullgare të krimit të organizuar, Boyan Petrakiev Borisov, i njohur me nofkën “Baroni”.
Detajet mbi shitjet me vlerë prej më shumë se 1 milion euro ekspozohen nga dokumentet konfidenciale mbi eksportet e armëve, të siguruara nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb