Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksiy Reznikov deklaroi se forcat ruse kanë “përparuar në disa drejtime”, ndërsa shtoi se mbrojtësit ukrainas po kundërshtojnë dhe dëbojnë pushtuesit. “Natyrisht, armiku ka avancuar në disa drejtime, megjithatë, ai kontrollon vetëm zona të vogla. Mbrojtësit tanë po kundërshtojnë ashpër dhe po dëbojnë pushtuesit,” tha ai në një deklaratë, duke shtuar se për shkak të “ngadalësimit të ritmit sulmues dhe rezistenca e ukrainasve, Rusia po ndryshon taktikat”.

“Agresori përdor potencialin e tij ajror dhe raketor në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe aktive. Të gjitha llojet e aviacionit po bombardojnë qytetet tona, qytezat dhe infrastrukturën civile, duke përfshirë infrastrukturën kritike dhe infrastrukturën e rrezikshme, mes tyre centralet bërthamore dhe hidrocentrale.”, tha ai.

Reznikov tha se forcat ruse po sulmojnë ndërtesa banimi, shkolla, kopshte dhe spitale. “Armiku po shkatërron kishat dhe katedralet. Ai po bombardon stacionet hekurudhore me mijëra gra dhe fëmijë që evakuohen. Këto janë taktikat e çakejve të frikësuar. Kam besim se armiku do të paguajë për çdo jetë dhe për çdo lot”, pohoi zyrtari.

Reznikov tha se Mariupol, Volnovakha, Kharkiv, Chernihiv, Mykolayiv dhe Kherson janë ndër qytetet ku aktualisht situata është “më komplekse”, duke shtuar se; “Ne me të vërtetë shpresojmë që korridori humanitar do të funksionojë dhe do të jemi në gjendje të evakuojmë civilët”. Reznikov tha se përpjekjet kryesore të forcave ruse vazhdojnë të përqendrohen në rrethimin e Kievit dhe shtypjen e rezistencës në qytete dhe qyteza.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb