TIRANË- Prej kohësh në një lidhje të shumëpërfolur me Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Armina Mevlani, ka vendosur të rrëfejë të vërtetën e e saj. 23-vjeçarja që vazhdon studimet për shkenca politike në një bisedë televizive në emisionin “Takimi i pasdites” të Rudina Magjistarit në TVKlan ka mohuar se ka qenë ajo shkak i ndarjes së Shkëlzen Berishës me bashkëshorten e tij të parë dhe ka thënë se gjithçka ka ardhur natyrshëm.

“Donim kohën tonë edhe neve që të ndjeheshim gati dhe kërkonim momentin e duhur. Çdo gjë kërkon kohën e vet. Kjo histori tashmë u bë dy vjet. Është një histori dashurie dhe nuk është diçka për t’u fshehur. Duke qenë se ne jemi të dy persona publikë, ka pasur nga ata persona që vërtet më kanë mërzitur se gjithandej abuzohet me emrat
tonë, me komente shumë të shëmtuara, ka pasur edhe të bukura”, tha Armina.

Ndërsa shtoi se “fillimi ka qenë i vështirë dhe prandaj ne jemi matur shumë, por tani kjo pjesë ka kaluar”.

“E di që lidhja jonë është përdorur politikisht, që e kanë shfrytëzuar kundër nesh, por nuk jam unë personi i tretë që u fut brenda çiftit”, ka thënë Armina duke lënë të kuptohet se marrëdhëniet e Shkëlzenit me ish-bashkëshorten e tij, Sadijen ishin në rënie dhe vetëm pas kësaj, lindi dashuria e çiftit të ri me shikim të parë.

“Edhe unë kam vuajtur shumë, edhe Shkëlzeni gjithashtu, por e di që edhe zonja (Sadija) ka vuajtur. Por këto janë gjëra të jetës që kështu vijnë. Ne na ka ardhur natyrale”, ka treguar Armina. Duke folur për dy fëmijët e Shkëlzenit, Armina ka lënë të kuptohet se nuk i ka takuar, por se i do ata si pjesë e njeriut që dashuron.

“Për sa i përket fëmijëve unë nuk e kam pasur problem, për sa janë pjesë e tij. Unë i dua ata dhe nuk mendoj se do të jetë ndonjëherë problem. Megjithatë, çdo gjë kërkon

kohë. Është kjo që i shëron dhe i çon gjërat në vendin e duhur”, u shpreh Armina.

E pyetur se a e njihte Shkëlzen Berishën më parë, Armina tha se “para shumë vitesh jemi parë, por nuk e dija se kush ishte. Kjo ka qenë hera e parë që jemi parë, kemi qenë në tavolina të veçanta. Më pas, është harruar ky moment dhe njohja ka qenë e rastësishme në një tavolinë”.

23-vjeçarja ka deklaruar se me publikimin e kësaj historie edhe ajo është ndjerë më e lirshme. “Në aspektin e ndjenjave s’ka ndryshuar, por tani kam qenë e lirshme të dal. Tani gjërat kanë marrë kohën e tyre dhe ndjehemi më rehat kur dalim nëpër festa të ndryshme”, u shpreh ajo.

Armina Mevlani ka folur edhe për takimin me Sali dhe Lirie Berishën, duke ndarë përshtypjet e saj. Ajo ka pohuar se është ndjerë mirë me prindërit e Zenit (ashtu e ka quajtur gjatë gjithë emisionit). “Është ndryshe kur ata që i ke njohur përmes ekranit i takon realisht. Ata janë njerëz të veçantë dhe ndihesh mirë në bisedë. Besoj ashtu janë ndierë edhe ata me mua. Unë dhe Zeni jemi rritur me ndjenjat e respektit për familjen”, ka thënë ajo, duke shtuar se “edhe Zeni i ka takuar prindërit e mi”.

Përsa i përket planeve për të ardhmen, Armina tha se “ndoshta kur të mbaroj shkollën, diçka do të finalizohet”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: