Të dielën luhet derbi i 146 në historikun e përballjeve ndërmjet Partizanit dhe Tiranës. Futbolli shqiptar shfaq anën e tij më të bukur, një ndeshje e cila gjithnjë është konsideruar si një kartolinë. Nëse në fushë loja jo gjithnjë ka qenë e bukur, fundja derbi luhet për t’u fituar, dhe në tribuna spektakli ka qenë i garantuar. Rivaliteti ndërmjet dy klubeve emblemë ka qenë gjithnjë i madh, por rrallë herë i ka kaluar kufijtë e sportivitetit, pavarësisht presionit të jashtëzakonshëm që kjo sfidë mbart.

Ekipi i kuq mbështetet fort pas statistikave, 60 fitore kundër 40 të Tiranës. Ndërsa 45 ndeshje të tjera jenë ndarë në barazim, por fundja statistikat janë bërë për t’u thyer.

Situata bëhet edhe më absurde teksa sheh që bardheblutë nuk njohin shijen e fitores në 9 ndeshjet e fundit kundër të kuqve. Presioni është më i madh tek 24 herë kampionët, pasi tifozët kërkojnë më çdo kusht një fitore në derbi. Tre pikët janë jetike edhe për tabelën e klasifikimit, gjithnjë nëse nuk duan të lëshojnë terren ende pa nisur mirë sezoni.

Tirana gëzon një formë të mirë, ndeshja kundër Kukësit e konfirmoi diçka të tillë. Trajneri Daja më në fund mund t’i gëzohet një organike të plotë, pasi ditën e djeshme janë bashkuar me grupin dy nga lojtarët më të rëndësishëm sezonin e fundit, Gjergji Muzaka dhe Gilman Lika.

Pas një periudhe të gjatë dëmtimi, dy mesfushorët me tipare sulmuese kanë zhvilluar seancat stërvitore me ngarkesë të plotë. Është e vështirë që t’i shohim në fushë nga minuta e parë por trajneri Daja mund të ndihet i sigurt sa herë të kthejë kokën në stol. Një klimë pozitive mbizotëron edhe tek skuadra e Partizanit. Transferta përballë Teutës shëroi shumë plagë një javë përpara derbit, pasi rigjetën rrugën drejt golit, por mbi të gjitha vendosën paqen me tifozët.

Trajneri Sormani mund t’i gëzohet faktit që Mentor Mazrekaj rikthehet të stërvitet me pjesën tjetër të skuadrës, por më shumë se sa trajneri italian, këtij fakti i gëzohet tifozët. Mazrekaj mbetet beniamini i tyre. I vetmi detaj që zbeh bukurinë e këtij derbi është fakti që për herë të parë kjo sfidë nuk luhet në kryeqytet por në Elbasan Arena.

Orari zyrtar i takimit
Derbi i kryeqytetit Partizani-Tirana ka filluar të marri formë. Për herë të parë në histori kjo sfidë nuk do të zhvillohet në Tiranë, por në “Elbasan Arena”. Klubi i kuq si organizator i derbit të parë për këtë sezon ka njoftuar me anë të një postimi në faqen zyrtare në “Facebook”: se ndeshja e vlefshme për javën e 4-ët do të zhvillohet ditën e diele në orën 19:00. Federata Shqiptare e Futbollit, Policia e Shtetit dhe platforma sportive SuperSport kanë rënë dakord për datën dhe orarin e këtij takimi të shumë pritur.

Ky është pa diskutim një lajm pozitiv për tifozët që dëshirojnë ta ndjekin live këtë takim, ora 19:00 ia mundëson për të qenë më të shumë në numër. Impianti i “Elbasan Arena” me kapacitet prej 12.800 vendesh pritet të jetë i mbushur plot, interesi për ketë sfidë është i jashtëzakonshëm. Partizani-Tirana ka vendosur në lëvizje drejtuesit e stadiumit të cilët kanë çmontuar stolat e stadiumin duke shmangur në këtë mënyrë çdo dëmtim që ultrasit mund të sjellin. Ky takim është një sfidë edhe për policinë e shtetit pasi është hera e parë që dy tifozeritë e kryeqytetit shpërngulen në një qytet tjetër.
(er.shk/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: