Real Madrid pësoi një goditje të fortë në garën për titull. Ekipi i Carlo Ancelottit del pa pikë nga transferta përballë Mallorca-s, një ndeshje ku gjithçka shkoi keq. Si të mos mjaftonin mungesat e Benzema-s dhe Militao-s, pak minuta përpara se të fillonte ndeshja, Ancelotti humbi dhe shërbimet e portierit Courtois.

Në minutën e 13-të, Vedat Muriqi në zonë, arriti të fitojë duelin ajror me Nacho Fernandez duke detyruar këtë të fundit të devijojë topin në portën e tij. Mallorca mbrojti me fanatizëm rezultatin, iu falën edhe portierit Rajkovic i cili në minutën e 60-të i priti një penallti Asensio-s. Nuk e ka pritur mirë këtë humbje Carlo Ancelotti:

“Një disfatë e rëndë, shumë e vështirë. Nuk kishim fat ta administronim si duhej, pësuam edhe një gol të shpejtë. Meritonim të paktën një barazim, gabuam një penallti ndërsa nuk shfrytëzuam mirë disa raste”, u shpreh ndër të tjera Carlo Ancellotti.

Përfiton në maksimum nga ky hap falas i Real Madrid, Barcelona. Blaugranët mposhtën Sevilla-n me rezultatin e pastër 3-0. Pavarësisht shifrave, ekipi i Xavi-t nuk e kishte kaq të lehtë, goli i avantazhit erdhi vetëm në minutën e 58-të me Jordi Alba. Në të 70-ën ishte Gavi që përfitoi nga një asist i pastër i Raphinha duke dërguar topin në rrjetë. Tetë minuta më pas braziliani u shërbye në zonë nga Jordi Alba duke trefishuar shifrat, rezultat që mbeti i pa ndryshuar deri në fund. Fal këtij suksesi, Barcelona e dërgon diferencën në plus tetë nga Real Madrid.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb