Tre fitore në tre, nëntë pikë të plota dhe kualifikimi për Liverpool tashmë kthehet në formalitet. Të kuqtë e Jurgen Klopp shpërfytyrojnë Atalanta në Bergamo duke i shkaktuar një humbje të thellë 0-5 duke treguar të gjithë potencialin e tyre ofensiv. Pas një rezultati të tillë ka pak për të komentuar por kampionët anglez shijojnë në maksimum zbulimin e radhës, Diogo Jota. Portugezi ishte protagonisti kryesor me një “tripletë”. Në minutën e 16-të realizoi golin e parë ndërsa në të 33-tën dyfishoj shifrat.

Atalanta ishte e pafuqishme për të reaguar ndërsa me fillimin e pjesës së dytë Momo Salah dërgoi shifrat në 0-3. Dy minuta më pas, në të 49-të, Mane firmosi në golin e katër. Për të kompletuar mbrëmjen fantastike, Jota shënoi dhe golin e tij të tretë personal e të pestin për Liverpool në minutën e 54-ët. Pjesa e mbetur e sfidës kishte pak histori. Një fitore të rëndësishme në transfertë përballë Midtjylland siguroi edhe Ajax, pavarësisht se në këtë sfidë vinin pa 13 lojtarë, të prekur nga COVID-19. Holandezët shënuan dy gola të shpejtë brenda 13-të minutave por danezët ngushtuan shifrat në të 18-të duke e bërë më emocionues pjesën e mbetur të takimit. Shifrat nuk ndryshuan deri në fund me Ajax që siguroi një fitore e cila i vendos në vendin e dytë në kuotën e katër pikëve po aq sa edhe Atalanta.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb