TIRANË – Stresi ose këngëtari Arkimed Lushaj i ka shkaktuar një stres të vërtetë, tre efektivëve të Policisë së Shtetit, të cilët janë arrestuar sot pas arratisjes së tij nga ambientet e Policisë Gjyqësore Rrugore, ndërsa vetë Lushaj tani rezulton person i shpallur në kërkim. Pavarësisht kësaj, pas publikimit të lajmit, ai u ka dërguar një mesazh nga Fb “Atyre që mund të dëgjojnë: Mos u dëshpëroni”.

Policia ka njoftuar se “Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka kryer arrestimin në flagrancë të tre punonjësve të policisë:

1. Saimir Cinga, 39 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Ndihmës Specialist për Linjat Interurbane në Njësinë e Qarkullimit Rrugor Tiranë
2. Bashkim Dybeli, 48 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë trupë shërbimi në Komisariatin Rajonal të Qarkullimit Rrugor Tiranë.
3. Mark Gjonpalaj, 46 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë oficer i Policisë Gjyqësore pranë Komisariatit Rajonal të Policisë së Qarkullimit Rrugor Tiranë

Këta punonjës policie me veprimet dhe mos veprimet e tyre, në mospërputhje të rregullt të detyrës, kanë sjellë si pasojë largimin e personit të kapur në flagrancë Arkimed Lushaj, nga ambientet e Policisë Gjyqësore Rrugore në rrugën “Mine Peza”. Shtetasi Arkimed Lishaj është shpallur në kërkim policor.

Po ashtu, janë pezulluar nga detyra 12 punonjës policie për shkelje të detyrës, përshirë edhe 3 punonjësit e arrestuar.

Tashmë, materialet në ngarkim të tre punonjësve të policisë i kanë kaluar për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit gjyqësor Tiranë, thuhet në njoftim.

LUSHAJ REAGON NE FB:

Këngëtari Arkimed Lushaj, pasi ka lexuar nga mediat lajmin e fundit për ndalimin e tij si i dehur, arratisjen dhe arrestimin e 3 policëve, ka shpërndarë një mesazh në Fb duke i dhënë çështjes, ngjyrime politike: “Atyre që mund të më dëgjojnë, i them: Mos u dëshpëroni. Mjerimi që tash është mbi ne nuk është asgjë tjetër veçse kalimi i lakmisë hidhërimit të njerëzve që i frikësohen progresit njerëzor. Urrejtja e njerëzve do të kalojë, dhe diktatorët do të vdesin, dhe fuqia që ata morën nga populli do t’i kthehet popullit. Dhe përderisa njerëzit vdesin, liria kurrë nuk do të shuhet.”

Lushaj u ndalua nga Policia të premten për drejtimin e makinës në gjendje të dehur dhe kundërshtimin e forcave të policisë. Po atë natë, ndërsa ishte duke u marrë në pyetje nga oficeri i Policisë Gjyqësore, ai ka kërcyer nga dritarja e katit të dytë të Komisariatit nr.3 dhe është larguar me shpejtësi.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: