TIRANË

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula i ka bërë thirrje prokurorëve dhe gjyqtarëve të SPAK të hetojnë politikanët e lartë nga të gjitha krahët politikë, duke e cilësuar këtë moment si një shans historik për vendin në luftën kundër korrupsionit.

Në një fjalim të mbajtur sot në Parlament ai u shpreh se “ Si ish prokuror e di çdo me thënë të vuash duke grumbulluar prova dhe fakte për të akuzuarit në politikë që janë qoftë deputetë, qoftë ministra apo zyrtarë të lartë. Keni shansin historik për të shpëtuar qytetarët shqiptarë, për të shpëtuar Shqipërinë. Ju jeni Antonio Di Pietro të Shqipërisë. Si Di Pietro që shkatërroi politikën e korruptuar në Itali, edhe ju duhet ti jepni fund pandëshkueshmërisë 30 vjeçare të politikanë shqiptarë”.

Sula komentoi gjithashtu urdhrin e ndalimit të ish prokurorit të përgjithshëm, Adriatik Llalla në Itali apo edhe arrestimin e pak ditëve më parë të ish ministrit të Mjedisit, Lefter Koka.

“Kjo javë ka nisur me dy lajme shumë të mira për luftën kundër korrupsionit ndaj zyrtarët e lartë në vend. Që të kuptohemi qartë, këtu nuk ka ndonjë meritë kjo maxhorancë, aq më pak kjo qeveri, por vetëm organi i SPAK i cili po jep provat e para se investimi miliona dollarësh i partnerëve tanë ia ka vlejtur.

Ish kryeprokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla është ndaluar nga autoritetet italiane. Ende pa u shuar jehona e këtij lajmi, nga SPAK erdhi lajmi tjetër i mirë për të gjithë shqiptarët, për ti dhënë fund kulturës së pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë në këtë vend, arrestimin e ish ministrit të Mjedisit në qeverisjen socialiste, Lefter Koka”, u shpreh deputeti demokrat.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb