Kreu i kadastrës, Aratan Lame, i ka quajtur si të pafe dhe të pamëshirshëm ish-drejtuesit e Kadastrës së Beratit, të cilët u zbuluan se kishin pranuar para nga qytetarët për të përmbyllur legalizime.

Në një bashkëbisedim me gazetarët, Lame pranoi se pas zgjedhjeve do të bëhet një riorganizim i ri i kadastrave në disa qytete të vendit, ku nuk preferoi të përmende emra qytetesh, pasi sipas tij do u priste “krahët” e punës së bërë.

“Nuk e di ku e sheh problemin në Vlorë, sepse Vlora prej kohësh nuk po ndryshon drejtor. Drejtori aktual e ka justifikuar veten dhe nuk do të ndodhë ndonjë traumë e madhe pas zgjedhjeve. Ka një ngritje të problematikave në Vlorë të mbartura, që i kanë ngarkuar punonjësit e atjeshëm. Pas zgjedhjeve, kanë nevojë disa drejtori të kadastrës për t’u parë me thellësi organizimi dhe riorganizimi për shkak të problematikave që nuk kanë qenë në gjendje t’i japin rrugë. Nuk është rasti i Vlorës ky, pasi Vlora realisht po ecën mirë. Flas për ato bashki që kanë vuajtur nga ngarkesa të mëparshme. Nuk ua them tani emrat, sepse ua pret krahët atyre atje. Por realisht pas zgjedhjeve do të bëhen riorganizime. Unë nuk fsheh asgjë, po ekziston them, hajde ta rregullojmë. Rasti i Beratit ishte i turpshëm sepse bënte fjalë për një drejtori që nuk ma priste mendja të ndodhte, sepse bëhet fjalë për një zonë relativisht të varfër, nevojtarë, të vendosësh duart në xhepat e tyre, duhet të jesh pa fe, pa mëshirë, nuk di ç’të them”, tha Lame.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb