TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas valës së arrestimeve në spitalin Covid-2 “Shefqet Ndroqi”, që lidheshin me skandalin abuziv të sanitares Tire Alldervishi.

Rama e quajti një lajm shumë të mirë arrestimin e tre infermiereve Mira Bushi, Sheqerie Koçi, Sidorela Çela, së bashku me sanitaren Rukije Hoxha, të cilat në bashkëpunim me Alldervishin kishin zhvatur familjarët e pacientëve me koronavirus.

Sipas kreut të qeverisë, arrestimi i bashkëpunëtoreve të sanitares Alldervishi ishte një mesazh i qartë për të gjithë, ndërsa shtoi se qytetarët nuk duhet të ngurrojnë për të denoncuar çdo rast abuziv.

“Dua të ndalem në tre pika kryesore, duke filluar nga lajmi shumë i mirë i prangosjes edhe katër punonjësve të tjerë, në kuadër të hetimeve të thelluara që nisën pas denoncimit publik të një qytetareje. Është një lajm shumë i mirë, sepse është një mesazh shumë i qartë në radhë të parë për qytetarët, të cilët nuk duhet të ngurrojnë të denoncojnë në cdo drejtim, përfshirë edhe mediat investigative. Ky ishte një rast aq skandaloz dhe domethënës. Është një mesazh i qartë për të gjithë atë pjesë të trupës së bluzave të bardha, që për fat të mirë është një pakicë e vogël, por e mjaftueshme për të ndotur imazhin, pastërtinë e bluzave të bardha, për të ndotur rrugën e transformimit. Patjetër që është një mesazh i qartë edhe për të ardhmen, pasi unë besoj që kura afat dhe e suksesshme për të adresuar plagën kanceroze të ryshfetit në sistemin shëndetësor është thellimi i reformës së sistemit. Reformë që ne e kemi nisur dhe tani jemi në kushtet kur kemi një bazë solide për të hedhur hapin e madh të autonomisë spitalore, në bazë të performancës së tyre. Mund të arrijmë dhe do të arrijmë që spitalet publike të funksionojnë me një logjikë që harmonizon shërbimin falas për qytetarët, me shpërblimin motivues për mjekët.

Natyrisht që kjo është një ambicie, e cila është shumë e lehtë ta thuash, se ta realizosh, e cila nuk mund të shihte rrugën e realizimit më parë, pa e shtruar në fillim bazën e të gjithë infrastrukturës sonë spitalore dhe gjithë sistemit tonë të ri shëndetësor. Edhe në sektorin e shëndetësisë ka ende më shumë për të bërë, nga sa është bërë, por cka është bërë, është një provë e një transformimi të pakrahasueshëm me cka ishte shëndetësia jonë, spitalet tona, shërbimi. Ishte një skandal i pashoq në mes të Evropës, një turp i pashembullt në mes të Evropës. Sot ne kemi një pasqyrë krejt tjetër në cdo pikëpamje dhe mbi këtë pasqyrë ne jemi sot në gjendje të hedhim hapin tjetër të madh. Kësaj ambicie i shërben edhe programi i spitalit të ri të Fierit, i cili nuk do të jetë vetëm një infrastrukturë moderne me të gjithë parametrat dhe standardet e shërbimit cilësor shëndetësor, por do të jetë edhe një bazë e transferimit të dijes dhe do të shërbejë si projekt pilot për transformimin e krejt sistemit të administrimit brenda gjithë rrjetit të spitaleve tona. Një transferim dije bazuar në modelin të njohur të suksesit në Turqi, ku ka një ndarje të qartë mes administrimit të aseteve të ligjistikës me administrimin e burimeve njerëzore”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb