Gazetarja Klodiana Lala e ftuar në rubrikën ”Opinion” të News24 ka zbuluar detaje si dhe ka komentuar arrestimin 22 komisionerëve të 3 qendrave të votimit në Shijak të Durrësit që i përkasin hetimit të dosjes 339.

Lala thotë se kjo është një nisje e mbarë, por nuk është drejtësi. Ajo thekson detajin se ishin komisionerë nga 4 parti, por nuk u kuptua cilës palë i shërbyen. Pasi çdo komisioner përfaqëson interesat e palës së vet por ata lejuan disa persona të votojnë disa herë.

Sipas Lalës tek këta komisionerë kanë ndikuar zyrtarë të lartë dhe anëtarë të grupeve kriminale dhe SPAK duhet pikërisht të zbulojë këta pasi nëse ndalet tek 22 komisionerët atëhere s’ka bërë asgjë.

”Arrestimet e SPAK me Policinë, i 22 komisionerëve është një nisje e mbarë. Por kjo s’do të thotë drejtësi për krimin zgjedhor. Ky operacion nuk është drejtësi për këtë dosje që ka trazuar politikën, opinionin publik dhe gjithë zgjedhjet. Pra janë komisionerë të 3 qendrave të votimit në Shijak, dhe një person ka votuar disa herë dhe komisionerët nuk e kanë kundërshtuar këtë, pra e kanë lejuar. Imagjinoni për qendra të tjera që nuk janë hetuar, imagjinoni sa qindra mijëra vota janë blerë e janë manipuluar. Në kuptim të parë komisionerët janë njerëzit e parë që përballen me votuesit, e certifikojnë dhe i japin lejen. SPAK nuk ka dhënë sot shpjegime në favor të kujt subjekti politik është votuar. Nëse SPAK ndalet këtu atëhere s’ka bërë asgjë. Pra janë komisionerë të 4 partive, që mbrojnë interesat e palëve të tyre, pra kush i detyroi këta, ose zyrtarë të lartë ose grupe kriminale në funksion të vetëm një pale. SPAK duhet të zbardhë këtë dhe të ndëshkojë, përkatësisht për krime zgjedhore. Nuk mund të ndalet SPAK në arrestimin e vetëm komisionerëve që pas një kohe lirohen. SPAK duhet të japë përgjigje cilët janë zyrtarët e lartë dhe anëtarët e grupeve kriminale. Janë zyrtarë të lartë të dosjes 339 që janë përgjuar duke folur me anëtarë të grupeve kriminale.

Ka një hetim për Dakon, por nuk i është regjistruar emri në atë kolonën që i atribuohet një vepër penale.

Këto arrestime të sotme janë vetëm maja e ajsbergut të dosjes 339 por edhe asaj 184 e cila poashtu ka të bëjë me krime zgjedhore. Nëse SPAK do t’i ndalojë përpjekjet e saj në këtë stad atëhere s’ka bërë asgjë. Bundestagu ka bërë deklaratë zyrtare që kush ka bërë krime zgjedhore duhet të shkojë në burg , PE e vuri kusht. SPAK ka në dorë të japë dritën jeshile për Shqipërinë.”- tha Lala.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb