SHKODER – Aksionet e OSHEE-së për lidhjet e parregullta të energjisë elektrike, vijojnë në të gjithë vendin. Nëse nuk ke një kontratë të rregullt energjie, apo ke fatura të papaguara, energjia do ndërpritet, qoftë kjo e nevojshme edhe për mbajtjen në jetë të një fëmije 7-vjeçar. Një histori që tronditi opinionin publik ishte ajo e familjes Dyli në fshatin Gur i Zi të Shkodrës. Kryefamiljari Naim Dyli është arrestuar, pasi rilidhi energjinë e shkëputur, vetëm për pak minuta, për të mbajtur në jetë të birin vetëm 7 vjeç. Ky i fundit që prej lindjes është i sëmurë nga mushkëritë dhe në rast krizash i nevojitet ndihma me oksigjen, si e vetmja mënyrë për ta mbajtur në jetë.
PD: 39-VJEÇARI RILIDHI ENERGJINË PËR TË NDIHMUAR DJALIN
Pas arrestimit të 39-vjeçarit, Partia Demokratike e Shkodrës denoncoi atë që e cilësoi si akt flagrant të shkeljes së të drejtave të njeriut, nga ana e OSHEE-së dhe Policisë së Shtetit.
“Të shpëtosh fëmijën tënd e të futesh në burg nga shteti kjo ndodh vetëm në Shkodër! Një akt kriminal mund të cilësohen veprimet e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe të Policisë. Të cilët burgosen 39-vjecarin Naim Dyli sepse rilidhi energjinë elektrike ti jepte ndihmë djalit të tij të vetëm 7 vjeçar Eglisonit. Partia Demokratike e Shkodrës denoncon aktin flagrant të shkeljes së të drejtave të personit nga ana e OSHEE-së dhe Policisë së shtetit. Naim Dyli nga Guri i Zi u arrestua nga Policia me denoncim të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sepse është kujdesur për shëndetin e djalit të tij 7 vjeçar Eglisonit. 7- vjeçari vuan nga probleme serioze të frymëmarrjes dhe trajtohet me oksigjen, prindërit për ti ardhur në ndihmë kanë bërë rilidhjen e energjisë pasi OSHEE për shkak të borxhit kësaj familja I ka ndërprerë energjinë. Menjëherë sapo kanë parë që energjia në këtë familje u rilidh policia ka vepruar duke përfunduar me sukses operacionin në ndjekje ndaj kriminelëve. Pasi sipas OSHEE-së dhe policisë e tillë na qenka familja Dyli! Kërkojmë të dimë se cili është krimi që kjo familje ka kryer? Duhej të linte djalin e vetë të vuante edhe më shumë? Cilat është mbështetja që i jep shteti të përballoj barrën e rëndë sociale e cila e ka pllakosur këtë familje? Familja Dyli nga Guri i Zi nuk ka asnjë të ardhur, për këtë fakt nuk mërzitet askush! Kjo është ftyra e vërtetë e kësaj qeverisje e cila nuk e ka mendjen fare tek jeta e personit por vetëm tek xhepi i pushtetarëve të saj. Kjo është qeverisja e Rilindjes, qeverisja e korrupsionit dhe e krimit.”- thuhet në deklaratën e PD-së.
OSHEE: PD PO MBRON VJEDHJEN
Ndërkohë OSHEE akuzon Partinë Demokratike se po u del në krah vjedhësve të energjisë. Sipas OSHEE-së, “përpjekja e PD për të penguar punën për rimëkëmbjen e OSHEE tregon se PD nuk ka asnjë sens të respektit për ligjin dhe asnjë sens të funksionimit të shtetit”.

“Edhe pse nuk ka asgjë te re në sjelljen e PD ndaj OSHEE, ne vazhdojmë të çuditemi në mbrojtjen e hapur që PD i bën idesë se vjedhjes së energjisë. Për OSHEE vjedhja e energjisë është e patolerueshme dhe çdo lidhje e paligjshme është e dënueshme si vepër penale. Përpjekja e PD për të penguar punën për rimëkëmbjen e OSHEE tregon se PD nuk ka asnjë sens të respektit për ligjin dhe asnjë sens të funksionimit të shtetit. OSHEE falenderon qindra-mijëra qytetarët që po vazhdojnë të lidhin kontratat e të shlyejnë borxhet e tyre ndaj kompanisë. U kujtojmë të gjithëve se më 28 shkurt skadon afati i përfitimit nga oferta jonë për ulje me 80 përqind të kamatëvonesës duke paguar menjëherë të gjithë borxhin. Po ashtu, nënvizojmë vullnetin e hekurt të kompanisë për të luftuar vjedhjet dhe ndaluar çdo vjedhës që guxon të shkelë ligjin duke u lidhur në rrugë të paligjshme me sistemin e shpërndarjes.”- thuhet në reagimin e OSHEE-së.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: