Dy gazetarët e kronikës, Lindita Çela dhe Eni Ferhati, të ftuar në emisionin “Në Shënjestër”, kanë treguar detaje nga aksioni i djeshëm i policisë, ku ra në pranga i shumëkërkuari Nuredin Dumani.

Sipas gazetarit Ferhati, ka dyshime të forta që Dumanit iu bë atentat rreth orëve të pasdites nga Talo Çela, edhe ky i shpallur në kërkim nga autoritetet. Sipas Ferhatit, është shqetësuese fakti që Çela është kthyer në një mit për policinë. Nga ana tjetër, gazetarja Lindita Çela tha se reagimi i policisë ka qenë i vonuar dhe se Dumani ra në pranga për shkak të mos aftësisë për të lëvizur.

Ferhati: Në vendngjarje janë sekuestruar gëzhoja të kallashnikovit. Ne dje pas konferencës për shtyp insistuam që ishte apo jo Talo Çela. Ato thanë se ka dyshime të arsyeshme që mund të ketë qenë edhe ai. Janë parë edhe kamerat e sigurisë, por nuk janë arritur të përfitohen të dhëna të besueshme. Prokuroria e Elbasanit kishte informacione që Dumani kohët e fundit lëvizte midis aksit Lushnjë-Fier dhe prej ditësh po vlerësohej si informacion. Dje ky informacion është përforcuar më tej dhe dje është bërë finalizimi.

Çela: Më së pari duhet pasur një audiencë, për të pasur komunikimin e publikut. Flasim për një personazh me rrezikshmëri të lartë. Ne duhet të ndalemi te efikasiteti i Policisë së Shtetit, sepse ajo nuk e ka të përcaktuar se ku do të dali. Në aspektin ligjor është për të na garantuar ne qetësinë dhe sigurinë. Ngjarja ka ndodhur pasdite vonë, deri në arrestimin e tij ka boshllëqe që ngre pikëpyetje. Më vjen mirë për suksesin e policisë që një person i tillë është arrestuar dhe gjithsecili prej nesh duhet të jetë pak më i qetë, por ndërkohë po flasim që ngjarja ka ndodhur në një qytet problematik. Ngjarja ka ndodhur në orën 16:00. Nuk shohim dhe nuk kemi informacion zyrtar që të ketë pasur patrulla të policisë të menjëhershme. Zyrtarisht në komunikatën për shtyp nuk pash që jepen dyshime për personat e përfshirë. Ne kemi vetëm një të ndaluar që besoj se e kemi të arrestuar për shkak të mos mundësisë fizike për t’u arrestuar.

Ferhati: Fakti që Talo Çela po kthehet në një mit për policinë është shqetësuese. Ka dyshime të arsyeshme që kanë informatorë, por ai ia ka hedhur paq dhe largohet. Unë nuk e di nëse ka nisur hetim për këtë rast. Ky njeri nuk është i mbinatyrshëm, si ka mundësi që largohet gjithmonë. Unë kam besim te njësia “Fast”, që ka 35 efektivë dhe kanë mision arrestimin e personave në kërkim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb