PRISHTINE- Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, po konsideron se veprimet e Serbisë karshi drejtuesve të UÇK-së, ndaj të cilëve ka lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar, janë provokime për të vepruar edhe Prishtina zyrtare reciprokisht.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës është në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Jashtme të Francës për rastin e ndalimit të Kryetarit të AAK-së, z Ramush Haradinaj. Unë personalisht dhe me kolegët e mi nga Qeveria po merremi me këtë situatë absurde prej ditës së djeshme dhe kam komunikuar tashmë edhe zyrtarisht se fletarrestet e Serbisë janë të papranueshme”, tha Hoxhaj për Express.

“Kërkesat e Serbisë për arrestimin e shtetasve të Kosovës dhe ish-luftëtarët e UÇK-së është një thirrje e hapur për ta tensionuar situatën në Kosovë dhe Ballkan. Kërkesat serbe të motivuara politikisht për arrestimin e qytetarëve dhe lidershipit të Kosovës janë thirrje për të vepruar në mënyrë reciproke gjë që Kosova më së paku e dëshiron. Ambasadat tona në Francë dhe institucionet e Kosovës po bëjnë përpjekje maksimale për ta liruar z. Haradinaj dhe tashmë diplomatët tanë edhe e kanë takuar atë personalisht”, tha ministri i Jashtëm kosovar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb