Analisti Mentor Nazarko teksa ka komentuar arrestimin e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, deklaroi se SPAK e ka ngritur nivelin e goditjes.

I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’, Nazarko pohoi se ‘kutia e Pandorës’ u hap dhe tashmë do të shihet se kush preket.

Duke u ndalur te reagimi i Ramës për këtë çështje, Nazarko tha se është brenda retorikës standarde për raste të tilla.

INTERVISTA
E nisim diskutimin nga arrestimi i ish-ministrit Lefter Koka. Sa i befasuar jeni nga lëvizja e SPAK?

Nuk e di gjendjen në të cilën janë hetimet e sotme të SPAK. S’kam se si ta di pasi është subjekt i sekretit hetimor. Që nga koha e Turqisë, -po hipotezoj kohën kur është shpikur shprehja-; ‘Hyqymeti’ e zë lepurin me qerre. Koha, që përdor një agjenci ligjzbatuese, është e veçantë. Koha e politikës është një kohë tjetër. Në mund të duartrokasim për ndjeshmërinë e politikës, por kohët e tyre nuk do të përputhen, sepse përndryshe i bie që institucionet të ishin të partizuara. Konsiderata e dytë është që ky është një operacion kompleks që synon të godasë atë veprimtari të kriminalizuar të institucioneve në një fushë delikate si ajo e riciklimit të mbetjeve. Është një fushë ku shteti shqiptar do të duhet të ballafaqohet me problemin e ndotjes së madhe të qyteteve dhe mjediseve tona urbane. Jemi një vend më i ndotur, dhe kjo është një veprimtari fitimprurëse, ku ndërthuren dhe veprimtari kriminale si tregon eksperienca e vendeve të caktuara, që herët a vonë duhet ta ndërmarrim si shtet. Mënyra se si trajtohen sot mbetjet apo si riciklohen sot është e prapambetur. Në gjykimin tim kjo është arsyeja e parë pse e bëra këtë parantezë: duke ditur se është veprimtari fitimprurëse, që merr përsipër shteti, afërmendsh, që palët politike përplasen me njëra-tjetrën, pasi janë ziliqare se pse nuk janë ato vendimmarrëse për aktivitete si këto. Është rivaliteti ndërpartiak, ndërinstitucional, pse jo dhe banesor, që vihen në lëvizje reciprokisht dhe bashkë me to edhe mediat, që imponon transparencë në veprimtari të tilla.
Kjo që po ndodh-, është paranteza e tretë- është demonstrimi i ri i fuqisë së SPAK. Ngritja e nivelit të goditjes ndaj një ish-zyrtari në nivelin e ministrit, është tregues i qartë i marrjes zemër të SPAK. Prej këtij momenti -kush ka veprimtari,- siç tha dhe ambasadorja Amerikane, nuk duhet të fshihet, por të vrapojë. ishte një mesazh në Twitter i saj. Ambasadorja është një lloj hyjneshë në fron, që mbron veprimtarinë e SPAK, jo që nga qielli, por që nga Rruga e Elbasanit. SPAK, mesazhet bien për ata që kanë vesh, majtas, djathtas. është zhvillim me karakter penal, por ka dhe impakt politik.

Kryeministri Rama e ka mbrojtur çështjen e inceneratorëve. Sa mund të vazhdojë kjo deviza e PS se; faji është individual dhe përballja me drejtësinë është individuale…
S’e di sa do zgjasë, se i bie të shtie fall. Është e qartë se nëse do të përdorim një shprehje që është e përdorur, “kutia e Pandorës” u hap. S’e kë do të prekë ajo, nuk e di,por supozoj se do të prekë sipas zinxhirit të përgjegjësive, dikë që ka ndarë paratë me ata që ka prova se kanë marrë para. Unë jam kundër angazhimit xhustialist që vjen nga foltoret mediatike që vënë gishtin e fajësisë pa dallim. Dua të përjashtoj shtypin e specializuar- Birn është një agjenci e specializuar, që ka bërë transparencë profesionale për këtë aferë. Do doja megjithatë të beja një saktësim: Jo çdo veprimtari ricikluese është kriminale. S’jam me këtë qasje, pasi çdo veprimtari që nuk është bërë më parë nga qeverisja, apo institucionet, që ka karakter modernizues, nuk duhet para si kriminale. Është arsye që të jemi vigjilent, por jo që të paragjykojmë. Të njëjtën qasje do ta kisha edhe sikur në pushtet të ishte një parti tjetër.

Minimumi këta inceneratorë na kanë kushtuar 3 mln euro më shtrenjtë, se thuhet aq është ryshfeti. Kush mban përgjegjësi?
E para nuk frymëzohem nga njollosja aprioristike e kësaj lloj veprimtarie ricikluese. As nuk ndikohem nga fakti, siç gjykojnë një pjesë e mirë e kolegëve, ku thonë se; qeveria është e kriminalizuar. Duhet të studiojmë me vëmendje atë qe ka ndodhur. Sigurisht në themel të çdo veprimtarie korruptive është një premisë që po e risjell në vëmendje: për shkak të qëndrimit për një kohë të gjatë në pushtet, siç është rasti i PS, pa opozitë në institucione, është afër mendsh që ndodh ky kriminalizim në marrëdhëniet mes bizneseve dhe politikës. Humb sensi i garës, s’ka garë. Kapitalizmi është i mbështetur te parimi i konkurrencës së lire Jam pro që këto biznese të lulëzojnë, pasi janë ilaçi që shoqëria të përballet me të këqijat e industrializimit, por të mbikëqyren drejtësisht dhe me ekspertizë perëndimore. Kjo është arsyeja themelore ku unë e shoh të keqen e politikës, apo të vendimmarrjes së institucioneve. Çfarë ka ndodhur? pse opozita është mobilizuar? Në kushtet e mungesës së garës, ato grupe që janë përjashtuar, kanë interes që të përfshihen dhe të sulmojnë subjektin fitues. Ishte diçka që pritej, pasi ishte paralajmëruar nga opozita dhe pak më herët nga shtypi i lirë.

Tregohet një skemë se si gara ka qenë e paracaktuar. Janë 3 njerëz që kanë marrë inceneratorë në 3 qytete. Shumë struktura kanë qenë në dijeni. E gjithë kjo është përgjegjësi individuale e një ministri?
Kjo që ka thënë qoftë zoti Rama, qoftë Ahmetaj, është brenda asaj retorike që thuhet në të tilla raste se përgjegjësia penale është individuale. Perceptimi që krijojnë mediat, opozita ndaj një vendimmarrje nga qeverie, është një gjë; tjetër gjë zbulimi i çështjeve me karakter penal dhe përfundimi në gjykatë i tyre. Për të vërtetuar provat, që do të fajësonin 1, 2, 3 apo më shumë, që kanë përgjegjësi institucionale, prokuroria do të duhet të veprojë. Ne duhet të krijojmë mjedisin e nevojshëm që prokuroria të bëjë hetimet pa i bërë presion asaj. E vërteta është se kjo që po ndodh është një pasojë e asaj që është avancimi ndonëse i ngadalshëm i arkitekturës së reformës në drejtësi, forcimi i SPAK. SPAK është duke rritur gradualisht fuqinë e tij, lartësinë e goditjes së tij. Kjo është shenjë e mirë. Kjo është arsyeja se pse bashkësia perëndimore e ka promovuar dhe është entuziaste duke e mbrojtur produktin e vet. Në duhet të presim, është avancim gradual. Është mirë që ekspertizës që shitet, apo propagandohet nga foltoret, t’i bashkëngjitet dhe përbërësja politike e shëndetshme.. Procese të tilla mos të etiketohen që në lindjen e tyre. Le t’i japim kohën e duhur institucioneve. Puna e institucioneve të drejtësisë mbështet te parimi i ekonomizimit të saj. Prokurorët zgjedhin vetë, apo të induktuar nga qeveria, apo nga opinioni, se cila prej çështjeve ka rëndësi apo prioritet. Fakti që zgjedhin këtë kohë tani, pas zgjedhjeve, tregon se ka një komponent politike, jo domosdoshmërish regji politike. është e njëjta gjë siç ndodhi me shpalljen non-grata të zotit Berisha. Po ta kishin bërë para zgjedhjeve, do thoshin që; kjo ndikon në dobësimin e opozitës, që të humbë zgjedhjet. Ata që vendosin vendimmarrje si këto, kanë në mendjen e tyre dhe një llogaritje të impaktit të tyre.

Çështja në PD ka shkuar nga të dy palët për statutin në gjykatë. Do e lejojnë palët njëra-tjetrën që të punojnë paralelisht?
S’do e lejojnë. Akti i fundit i zotit Berisha ishte akt force. Hyrja e tij në godinë, zhvillimi prej andej i një konference shpi, ishte akt për të ndikuar në bazën e saj: Kryetarët e degëve, anëtarësinë në bazë, për të treguar se balanca e forcës peshon nga ai. Akti i forcës së tij ishte për të ndikuar në një rezultat si referendumi, ndonëse askush s’ka kapacitet, për të vlerësuar se sa reale janë të dhënat qe do na vijnë qoftë nga Kuvendi i Berishës, qoftë ai qe do mbajë Basha. Partitë që manipulojnë zgjedhjet shtetërore, i manipulojnë zgjedhjet tyre të brendshme. Ne s’kemi kapacitet ta vërtetojmë shkallën e manipulimit. Kemi përpjekje nga Berisha për të sabotuar kuvendin e 18 dhjetorit: të ketë pjesëmarrje të ulët, mungesë legjitimiteti. Ai ka treguar se nuk kursehet që të zgjedhë metodat e forta, të trimërojë njerëzit e afërt dhe ata poshtë, madje ai donte që të tregonte akt fuqie edhe përballë ndërkombëtarëve. Zoti Basha gjithashtu ka vendosur që të tregojë fuqi, ndonëse ka demonstruar një lloj ngjeshje mesazhesh rebeluese, kundër Atit politik brenda një kohe të shkurtër. Është kujtuar vonë që të tregojë lidership. Ai do të duhet të bënte mea-cula për procesin se si e ka udhëhequr vendin PD në këto 30 vite. Le të shpresojmë se ky është proces pasurues, jo vetëm për PD por dhe për dialektikën pluraliste të vendit tonë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb