Ish-anëtari i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, është një ndër disa policë apo ish-policë që janë përballur me arrestim dhe burgim në Serbi.
Ai u ndal më 7 qershor në pikën kufitare mes Hungarisë dhe Serbisë dhe ndaj tij është shqiptuar masa e paraburgimit për një periudhë prej një muaji, nën dyshimin për përfshirje në një “vrasje të rëndë”.
Ambasada Gjermane ka konfirmuar se ndodhet në kontakt me Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd lidhur me këtë rast. Në një deklaratë për televizionin Dukagjini, Ambasada ka bërë të ditur se pret nga autoritetet serbe të zhvillojnë hetimet sa më shpejt dhe të verifikojnë vërtetësinë e akuzave. Po ashtu, ata kanë theksuar se është thelbësore që gjatë të gjithë procesit të respektohen standardet ligjore ndërkombëtare.
“Konfirmojmë se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd ka kontaktuar Ambasadën Gjermane për çështjen e z. Spahiu. Jemi në komunikim për këtë rast dhe presim që autoritetet serbe të hetojnë me shpejtësi dhe të garantojnë një proces të drejtë dhe në përputhje me normat ligjore,” thuhet në përgjigjen e ambasadës.
Spahiu, i cili u ndalua më 7 qershor, po mbahet në paraburgim nën akuzat për vepër të rëndë penale.