Teksa prezantoi në Kuvend, ligjin e ri për rolin e Parlamentin në procesin e integrimit, Jorida Tabaku tha se ndryshe nga opozita e mëparshme, fakt është që opozita sot është në mbështetje të këtij procesi.

Madje ajo nënvizoi se janë shpenzuar gjithë energjitë dhe përpjekjet për ta çuar këtë proces përpara edhe këto ditë të opozitës.

Në fjalën e saj, Tabaku tha se është gjithashtu shqetësuese edhe korrupsioni, “ku së fundmi u arrestua edhe kryebashkiaku i Bulqizës, ndonëse i denoncuar edhe më herët nga PD, SPAK vetëm dje ka lëshuar urdhër-arresti për të”.

“Angazhimi i sotëm është jo vetëm dëshmi e asaj çfarë kemi vepruar dje, por edhe premtim për atë që do të veprojmë nesër në qeverisje. “Që për fatin e keq, këtë energji dhe përkushtim tonin nuk e kam parë tek qeveria shqiptare në këto 10 vite. Kemi një bilanc të paradave dhe arritjeve fiktive të kësaj qeverie se sa një entuziazëm dhe energji për të çuar procesin përpara. Kemi një përkushtim më shumë tek propaganda dhe fishekzjarrët në sheshin “Skënderbej” si verën e shkuar, se sa një angazhim serioz për t’u përballur me sfidën transformuese të vendit. Ne, po përballemi me kohë tejet të vështira dhe rrugëtimi në integrimin Europian nuk është një proces kapriçoje, por në të vërtetë një proces bazuar në merita dhe arritje të prekshme. Kur raportet e Bashkimit Europian flasin për domosdoshmëri në përmbushjen e kritereve, nuk mund të fshihemi pas propagandës por duhet të përveshim mëngët për t’i përmbushur ato,”-tha Tabaku. Qeveria shqiptare po tregon jo vetëm mungese vullneti, sikurse nxjerrin ne pah progres raportet, por nismat e qeverise sikurse janë amnistia fiskale, pasaportat e arta dhe projekti i Portit të Durrësit, rrezikojnë të kthejnë pas këtë proces për vendin tonë”, tha Tabaku.

Gjithashtu deputetja e PD, nga foltorja e Kuvendit i bëri thirrje qeverisë dhe kryeministrit Rama të tërhiqet nga këto nisma, të cilësuara edhe si vija te kuqe nga institucionet e Bashkimit Europian dhe Komisioni Europian.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb